E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, atentat me eksploziv 47-vjeçarit

Një person, jo pak i njohur
nga policia, ka shpëtuar
nga një atentat për herë
të dytë, pasi dy vite më parë ka
mbetur i plagosur gjatë një prite
me armë, kur po udhëtonte bashkë
me dy të njohur, të cilët kanë
mbetur të vrarë. Shkëlqim Dorzi
nga Yzberishti i Tiranës, ka zbuluar
se poshtë mjetit të tij, tip kamion,
kishin vendosur një sasi të
konsiderueshme eksplozivi, që
është çaktivizuar nga specialistët
e antiterrorit. Ngjarja ka ndodhur
dy ditë më parë në Kombinat,
ndërkohë që policia ka nisur
punën për identifikimin e autorëve.
Burimet policore të
kryeqytetit bënë të ditur se dy
ditë më parë, rreth orës 11.00, në
Rrugën e Kavajës, pranë ish-kombinatit
"Misto Mame", te një lavazh,
ngjitur me karburant "Alpet",
gjatë larjes së mjetit është
gjetur një sasi eksplozivi. Policia
tha se mjeti tip "Kama", marka kineze,
me karroceri vetëshkarkuese,
me targa TR7623N,
është në pronësi të Shkëlqim
Dervish Dorzit, 47 vjeç, lindur
dhe banues në Yzberisht, i dënuar
më parë për vjedhje. Sipas
grupit hetimor, në pjesën e poshtme
të mjetit është gjetur një
lëndë me ngjyrë të bardhë, me
peshë 700 gramë, e mbështjellë
me natriban, që mendohet të jetë
lëndë eksplozive, ku në të ishte
vendosur një kapsollë detonatore.
Policia tha se menjëherë
janë njoftuar ekspertët xhenierë,
të cilët kanë çaktivizuar eksplozivin.
Sipas mendimit të ekspertëve,
eksplozivi ishte programuar
të aktivizohej, kur të
ngrihej karroceria, duke aktivizuar
kapsollën, e cila do të sillte
shpërthimin. Për këtë ngjarje,
policia ka marrë në pyetje
Dorzin, i cili ka deklaruar se nuk
kishte asnjë konflikt personal dhe
nuk kishte dyshime te ndonjë
person. Megjithatë, grupi hetimor
nuk ka përjashtuar asnjë
pistë për dokumentimin e kësaj
ngjarjeje të rëndë. Ky është atentati
i dytë ndaj Dorzit. Rreth dy
vite më parë, ai ka mbetur i plagosur
gjatë një prite me armë.
Pikërisht në prill të vitit 2006, kur
ai ka qenë duke udhëtuar me një
taksi, i nisur nga fshati Mëzez,
bashkë me Festim Hoxhën dhe
shoferin e taksisë, Thoma Bimo,
është sulmuar nga dy persona.
Gjatë këtij atentati mbetën të
vdekur Hoxha dhe Bimo,
ndërkohë që Dorzi mori plagë në
këmbë dhe në krah. Gjatë deklaratës
në polici, Dorzi tha në atë
kohë se ishte shtirur si i vdekur, me
qëllim për të mbijetuar. Për këtë
ngjarje, policia arrestoi në atë kohë
Fatbardh Drizën dhe Leonard
Shimën. Objekti i ekzekutimit ka
qenë Festim Hoxha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›