Të rriturit, 50 për qind vuajnë nga dhimbja
Dhimbja është një nga problemet kryesore shëndetësore në botë, ndërkohë që rreth 15% e njerëzve që ankohen nga një sëmundje e caktuar nëpërmjet dhimbjes shprehet me dhimbje neuropatike.
Studimet e ndryshme kanë vënë në dukje se rreth 50% e të rriturve gjatë jetës së tyre kanë vuajtur nga tipa të ndryshme dhimbjesh. Për një pjesë të mirë të individëve të përfshirë në studim, dhimbja ishte si kronike ashtu edhe e fortë, me rritje të dukshme të incidencës në moshat më të avancuara.
Dje u zhvillua simpoziumi shkencor ndërkombëtar “Mekanizmat që fshihen pas dhimbjes neuropatike dhe dhimbjes fantomë”.
Kontrolli i dhimbjes kronike është një fushë e re sa u përket programeve dhe prioritetit të shërbimit tonë shëndetësor, megjithëse ekzistojnë shumë burime dhe metoda me kosto efektive për trajtimin e saj. “Ne do të tentojmë të ketë zgjidhje të tjera dhe në planin e madh shëndetësor, ku disiplinat mjekësore ndihmojnë njëra-tjetrën”, tha ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Ideja e trajtimit të dhimbjes në ekip, i përbërë nga specialistë të disiplinave të ndryshme, u hodh për herë të parë në vitet e Luftës së II Botërore. Ndërkohë, gjatë viteve ’50 u hap klinika e parë e dhimbjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e më pas u hap edhe në Europë. Dhimbja neuropatike është po aq shqetësuese për Shqipërinë sa edhe për të gjithë botën. Ajo është një nga problemet kryesore madhore të shërbimit shëndetësor në përgjithësi dhe kirurgjisë, shërbimit të traumës, ortopedisë dhe kirurgjisë vazale në veçanti.
Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt, i pranishëm në këtë aktivitet, u ndal në dhimbjen e personave të gjymtuar në zonat e minuara. "Qeveria gjermane mbështet Shqipërinë prej shumë vitesh për kalimin me sukses të pasojave të luftës së Kosovës, në mënyrë të veçantë në çmimin e zonave kufitare", tha ambasadori gjerman. Sipas tij, projekti për këtë qëllim u mbyll vitin e kaluar, ndërkohë që në anën shqiptare të kufirit me Kosovën jetojnë mjaft viktima të këtyre minave dhe në anën kosovare një numër akoma më i madh.
#