E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësuesit, emërimet dhe largimet, dosjet në shqyrtim

Përfundon verifikimi i kualifikimit të mësuesve të shkollave 9-vjeçare, në proces edhe parauniversitarët

Largimet nga vendi i punës në radhët e mësuesve të arsimit parauniversitar do të bëhen në bazë të disa kritereve dhe kushteve të vendosura e të përcaktuara nga specialistë të fushës. Konkretisht, drejtoritë arsimore kanë nisur nga inspektimet dhe kontrollet menjëherë pas deklaratave të drejtuesve të arsimit për një reformë në arsim, mbi bazën e cilësisë në mësimdhënie dhe përmbushjes së standardeve që kërkon koha. Ajo që dihet me siguri, është fakti që drejtoritë arsimore që kanë më shumë punë janë ato të rretheve më të vogla, pasi qytetet e mëdha, përfshi edhe Tiranën, kanë shumë nxënës. Për rrjedhojë edhe programi apo orët që nevojitet për të përmbushur kohën që mësuesi duhet të kalojë në shkollë, janë më të thjeshta për t’u modifikuar.

Drejtoria Arsimore e kryeqytetit sakaq, ka përfunduar inspektimin e kualifikimeve dhe studimeve për secilin nga arsimtarët që jep mësimin në njërën prej shkollave 9-vjeçare në Tiranë. Askush nga mësuesit që do të japin mësim në vitin shkollor 2010-2011 nuk do të ketë mbaruar një profil ndryshe nga lënda që jep. Kjo do të thotë se mësuesit, që të mbajnë vendin e punës, duhet me patjetër të kenë mbaruar në sektorin ku ata kontribuojnë.

Seleksionimi

Mësuesit janë seleksionuar në mënyrë të tillë, duke marrë për bazë arsimimin, kualifikimin, saktësinë e lëndës që japin, në përputhje me formimin universitar, përmbushja e normës, programit të kërkuar nga drejtoria arsimore, si dhe përvojën në punë. Eksperienca është një tjetër tregues dhe faktor ndikues në përzgjedhje. Deri në fund të muajit gusht, atëherë kur pritet të nisë puna për mësuesit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, do të ketë përfunduar puna në tri faza: inspektim për mësuesit që japin mësim në shkollat e mesme, profesionale apo të karakterit artistik, do të jetë mbyllur faza e largimeve dhe zëvendësimeve me emërime të reja. Po ashtu pjesë e fundit është edhe sistemimi i normës dhe programit të punës për secilin mësues.

Risitë

Pritet që ndër risitë e këtij viti të jenë lëndët me zgjedhje, orët suplementare, përdorimi dhe menaxhimi më i mirë i bibliotekave, aktivitete më të shumta, si dhe kohëqëndrim më i gjatë në shkollë, për të gjithë mësuesit që kanë edhe një klasë në kujdestari.

Sakaq, ndërsa në Tiranë apo qytete të tjera të mëdha ka numër të konsiderueshëm nxënësish, rregullimi i normës dhe i programit mbetet më i thjeshtë se në shkollat ku ka më pak nxënës. Ndërkaq, sistemi i testimit të mësuesve ka krijuar një bazë të dhënash për sistemin arsimor, strukturat monitoruese, drejtoritë e shkollave, si dhe vetë mësuesit që në bazë të një pakete dhe portofoli konkurrimi provuan veten dhe përfituan rritje page në bazë të rezultateve, përvojës dhe përmbushjes së kërkesave të vendosura nga grupi i ekspertëve të Ministrisë së Arsimit dhe drejtorive arsimore.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›