Peshkatarët gjejnë trupin në Butrint
SARANDE – Gjendet 24 orë pas humbjes së jetës shoferi i kamionit që u përmbyt në kanalin e Butrintit mëngjesin e së enjtes. Peshkatarët e zonës kanë zbuluar vendndodhjen e trupit të pajetë të 45-vjeçarit Flamur Hasani, rreth 1.8 milje larg vendit ku ndodhi tragjedia. Burime policore të Sarandës kanë bërë të ditur se rreth orës 05:00 të mëngjesit të së premtes është gjetur trupi pajetë i Hasanit. Trupi i 45-vjeçarit, banor i Ksamilit, u gjet tek vendi i quajtur “Buka e Vivarit”, në një distancë të madhe nga zona ku ndodhet lundra, çka bëri që të dështonin dhe kërkimet e polumbarëve. Nga rrymat detare që janë të pranishme në çdo kohë në kanalin e Butrintit, trupi i 45-vjeçarit ka lëvizur nga vendi ku ra mjeti, deri në vendin ku u gjet mëngjesin e djeshëm. Sipas policisë, trupi u gjet nga peshkatarët, të cilët menjëherë njoftuan policinë. Flamur Hasani, banor i qytezës së Ksamilit, në orët e para të së enjtes, me mjetin e tij kamion, të cilin e kish të ngarkuar me tulla, ka hipur me forcë në lundër në Butrint, për të kaluar në krahun tjetër. Përveçse 45-vjeçari kishte ngarkesë të madhe në mjet, ai ishte edhe në gjendje të dehur, fakt i konfirmuar nga policia. Viktima kishte dashur të kryente rrugën më të shkurtër, nëpërmjet lundrës, por pesha e madhe bëri që të rrëzohej në ujë bashkë me mjetin e rëndë. sh.d