Gjirokastër, bllokohen 50 kg marijuanë, largohen trafikuesit
GJIROKASTER - Sekuestrohen 50 kg marijuanë, ndërkohë që personat të cilët e transportonin atë i kanë shpëtuar policisë. Aksioni i policisë së Gjirokastrës ka sjellë dështimin e tentativës për të trafikuar lëndën narkotike. Në bazë të informacioneve të marra nga terreni, dy automjete do të kryenin transportin e një sasie lënde narkotike nga fshati Lazarat në drejtim të Sarandës. Për të rezultuar i suksesshëm operacioni i saponisur, i koduar “Përtej Kufijve”, mbrëmjen e së enjtes u ngritën shërbimet për ndjekjen dhe kapjen e transportuesve të drogës. Policia filloi ndjekjen e këtyre të fundit deri në afërsi të qytetit të Sarandës në pjesën ku ishte ngritur edhe një postbllok policor i Komisariatit të Policisë së këtij rrethi. Duke diktuar ndjekjen në distancë nga ana e policisë, automjeti në bordin e të cilit ndodhej lënda narkotike, ka devijuar rrugën duke ndjekur drejtimin për në fshatin Çukë. Pa hyrë në Çukë, drejtuesi e ka braktisur mjetin bashkë me drogën. Ndërkaq automjeti tjetër, i cili qëndronte në ruajtje të mjetit që kishte lëndën narkotike duke luajtur rolin e shoqëruesit, ka vazhduar rrugën qetësisht në drejtim të Sarandës dhe nuk është mundur dot të kapet nga policia, pasi ka devijuar rrugën dhe nuk ka mbërritur në postbllokun e policisë. “Në bashkëpunim me forcat e Komisariatit të Policisë Sarandë është bërë krehja e vendit dhe u organizuan kërkimet për kapjen e autorëve dhe mjetit tjetër, i cili u largua në drejtim të paditur”, sqaron për gazetën zëdhënësi i Policisë së Gjirokastrës, Gentjan Mullai. Gjatë orëve të natës ka pasur një tentativë për të marrë lëndën narkotike nga një fuoristradë tip “Chevrolette” me targa amerikane, por që ka dështuar, pasi vendi ruhej nga forca policie. Shoferi që drejtonte këtë mjet është larguar në drejtimin jugor të vendit, duke e lënë atë të braktisur. p.n