Tiranë, goditet banda kriminale e vjedhjeve të makinave

Policia e Tiranës shkatërron bandën kriminale të vjedhjeve të makinave dhe motorëve. Në një konferencë për shtyp zëdhënësja e policisë së Tiranës Alma Katragjini ka theksuar se në sajë të operacionit të koduar “Bashkëpunimi” janë arrestuar 2 persona, një në ndjekje penale dhe një tjetër është shpallur në kërkim. Nëpërmjet këtij aksioni është bërë e mundur goditja e grupit kriminal më tendencë vjedhjet e automjeteve dhe motorëve, Tiranë, Kavajë, Durrës, Burrel, Mat dhe Dibër.
Në pranga kanë rënë shtetasit, Gentjan Ismail Ahmetsulaj, 33 vjeç, banues në Mat, i proceduar më parë për veprën penale të vjedhjes dhe Klajdi Hajredin Kurti, 24 vjeç, banues në Dibër, person në kërkim për vjedhje automjetesh. Shtetasja me iniciale M.M, 25 vjeç, banuese në Tiranë, do të ndiqet penalisht, ndërsa është shpallur në kërkim Fatjon Veizi, 23 vjeç, banues në Tiranë.
Sipas policisë, këto shtetas në bashkëpunim me njëri- tjetrin dyshohen të jenë autor të vjedhjeve të konsiderueshme automjetesh dhe motorave, ku në total është zbardhur dhe është bërë dokumentimi ligjor në përfshirjen e tyre të 50 vjedhjeve të automjeteve e motorrëve. Policia tha se hetimet vazhdojnë, pas dyshohet se ky grup është i përfshirë edhe në aktivitete të tjera kriminale.