E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, grabitësit vrasin kambistin

 

Etleva Delia

Grabitësit ekzekutojnë në derën e pallatit ku banonte në Tiranë, kambistin 40-vjeçar, duke e qëlluar me tre plumba dhe më pas i marrin xhiron e ditës 8 mijë euro. Astrit Cubaj, babai i katër fëmijëve u qëllua me tre plumba pistolete në bark rreth orës 14:50, kur po kthehej në shtëpinë e tij tek “Komuna e Parisit” në Tiranë. Ai gjeti vdekjen në Spitalin Ushtarak, sapo hyri në sallën e operacionit. Sipas policisë, autorët e ngjarjes, të cilët dyshohet të jenë të moshësh 16-18 vjeç, e kanë ndjekur kambistin Cubaj kur ai po kthehej nga puna dhe në momentin që ka parkuar makinën para pallatit, e kanë pritur tek hyrja në pjesën e pasme të tij. Në momentin kur 40-vjeçari është futur në pallat, për t’u ngjitur në katin e dhjetë ku kishte shtëpinë, ai është përballur me dy adoleshentët, të cilët i kishin zënë pritë për ta grabitur. Në momentin po i merrnin çantën me para, autorët kanë hasur në rezistencën e Cubajt dhe e kanë qëlluar 3 herë në bark me pistoletë, duke e lënë të plagosur rëndë. Më pas ai ka gjetur vdekjen në spital. Dyshohet se autorët, pasi qëlluan me armë kanë lëvizur në këmbë mes pallateve, derisa kanë dalë në rrugën kryesore, ku mund t’i ketë pritur dikush me makinë. Dy personat që kanë realizuar vrasjen nuk kanë qenë të maskuar dhe janë parë nga dhjetëra dëshmitarë, që kanë qenë në lokalet dhe dyqanet përreth pallatit.
HETIMET
Grupi hetimor që po punon për zbardhjen e ngjarjes ka përcaktuar motivet e ngjarjes dhe po verifikon veprimtarinë e kambistit Astrit Cubaj, me origjinë nga Kopliku i Malësisë së Madhe dhe banues në Tiranë. Të dhënat paraprake të policisë flasin për një vrasje të planifikuar nga autorët, të cilët mund të kenë mbledhur të dhëna për të dhe më pas kanë realizuar vrasjen. Kambisti është ekzekutuar gjatë grabitjes së parave që kishte me vete, pasi ishte duke u kthyer nga tregu valutor ku ushtronte aktivitetin. Ende nuk është përcaktuar shuma e parave të grabitura nga dy autorët, pasi në vendin e ngjarjes, por as në makinën e tij nuk është gjetur asnjë faturë që i përkiste aktivitetit të 40-vjeçarit. Sipas policisë dyshohet se autorët e kanë ndjekur me ndonjë mjet Cubajn dhe në momentin që ai ka parkuar makinën para pallatit, një automjet tip “Benz” me ngjyrë të bardhë, ata kanë shfrytëzuar rastin për ta pritur tek hyrja e pallati. Ngjarja ka ndodhur pikërisht në hyrjen e pallatit tek “Komuna e Parisit” dhe dy autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes pasi kanë marrë paratë. Policia ka shoqëruar për të marrë në pyetje 15 persona, të cilët kanë pohuar se pasi kanë dësgjuar tri të shtëna arme, kanë parë të dalin nga hyrja e pallatit me shpejtësi 2 djem të rinj, të cilët kanë kaluar mes pallateve. Dëshmitarët kanë pohuar se autorët ishin të rinj në moshë, por nuk i njihnin pasi nuk i kanë parë asnjëherë në atë lagje. Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, i cili ndodhej në vendin e ngjarjes, ka pohuar se ende nuk ka asnjë emër për autorët, por ata janë 2 djem të rinj në moshë. Gjithashtu, Vocaj tha se Drejtoria e Policisë ka vënë në dispozicion një shumë monetare për të gjithë ata persona që do të japin të dhëna të sakta në lidhje me ngjarjen dhe autorët e saj. Deri në orët e vona të mbrëmjes policia nuk ka pasur asnjë emër konkret për autorët e vrasjes së kambisitit, përveç përshkrimeve, që janë dhënë nga dëshmitarët e shoqëruar. 

Policia, 20 mijë euro për “autorët”

TIRANE - Policia e kryeqytetit ka vënë në dispozicion të informatorëve shumën prej 20 mijë eurosh. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Drejtoria e Policisë së Tiranës ka deklaruar se çdo person që ka dijeni rreth autorëve të vrasjes së kambistit 40-vjeçar Astrit Cubaj, është i lutur që t’i drejtohet policisë dhe si shpërblim do të marrë 20 mijë euro. Në të njëjtën kohë garantohet se do të ruhet anonimati i tij. Gjithashtu, policia e kryeqytetit ka vënë në dispozicion dy numra telefoni 129 dhe 0694104111 për personat që mendojnë se ka informacione të sakta rreth autorëve të ngjarjes së djeshme dhe ata mund të telefonojnë në çdo kohë. Sipas burimeve nga policia deri në orët e vona të mbrëmjes në numrat e vënë në dispozicion kanë telefonuar disa persona, por ata kanë dhënë vetëm informacione të përgjithshme që disponoheshin nga policia nga deklarimet e dëshmitarëve. Asnjë prej telefonuesve nuk ka dhënë ndonjë detaj më shumë rreth ngjarjes, që do ta ndihmonte grupin hetimor për kapjen e autorëve. Shuma e vënë në dispozicion nga policia për informatorët, vazhdon të jetë e vlefshme deri në momentin që të kapen autorët e dyshuar të krimit.

Dëshmitari: Autorët me bluza të zeza

TIRANE - Një nga dëshmitarët e ngjarjes, një djalë rreth të 20-ve, i cili nuk dëshiron të identifikohet me emër, thotë se ndodhej në një dyqan pranë pallatit, kur ka dëgjuar tri të shtëna. Ai sapo kishte blerë disa ushqime në dyqanin në krah të pallatit dhe ka qenë duke u kthyer në shtëpi, në të njëjtin pallat ku ndodhi ngjarja. “Kisha dalë nga dyqani dhe isha drejtuar për nga pallati, ku dëgjova tri të shtëna, që fillimisht mendova mos ishin kapsolla. Më pas pashë duke dalë nga hyrja e pallatit dy djem, të rinj në moshe, por që nuk arrita t’i fiksoja mirë, pasi po lëviznin me shpejtësi dhe u futën në mes pallateve”, tregoi dëshmitari. Sipas tij dy djemtë nuk e kalonin moshën 18-vjeçare dhe kishin veshur të dy bluza të zeza. Ata ishin të dobët dhe jo shumë të gjatë, por dëshmitari, i cili është pyetur edhe nga oficerët e policisë, ka treguar se nuk ka arritur të dallojë asnjë tipar në fytyrën e tyre, për shkak se ata po vraponin. “Nuk i kisha parë asnjëherë në atë lagje”, është shprehur dëshmitari.

KAMBISTI
Astrit Cubaj, 40-vjeç ushtronte prej disa vitesh aktivitetin e kambistit, pranë Bankës së Shqipërisë. Ai ishte i martuar dhe kishte 4 fëmijë. Prej gati 7 vitesh kishte ardhur nga Kopliku i Malësisë së Madhe dhe banonte në një apartament në katin e dhjetë, tek njëra prej dy kullave të arabit, në lagjen “Komuna e Parisit”, në Tiranë. Cubaj ndërroi jetë dje në Spitalin ushtarak, si pasojë e plagosjes së rëndë me 3 plumba pistolete, gjatë grabitjes së parave që kishte me vete.

15 persona
janë shoqëruar dje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës për t’u marrë në pyetje rreth ngjarjes së rëndë, ku mbeti i vrarë kambisti 40-vjeçar Astrit Cubaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›