Gjykata: 40 ditë burg kinezit të kërkuar për vjedhje bankash
TIRANE – Gjykata e Tiranës vendosi dje masën e sigurisë “40 ditë burg” për shtetasin kinez Lei Huimi Shen, 35 vjeç, i kërkuar nga autoritet e drejtësisë në vendlindje për vjedhjen e një shume të hollash në një filial të bankës shtetërore me anë të mashtrimit. Para gjykatësit të gatshëm të kësaj jave, prokurori që po ndiqte procedurat e ekstradimit të kinezit Shen, pohoi se 35-vjeçari ishte arrestuar mesditën e së premtes në Aeroportin e Rinasit pasi autoritet kineze të drejtësisë kishin lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar për të. Emri i tij ishte vendosur në listën e personave të kërkuar nga Interpoli prej disa muajsh, pasi i arrestuari me profesion ekonomist, akuzohet se pasi ka kryer veprën penale, për të cilën e ka ndihmuar edhe bashkëshortja, është larguar nga territori kinez. Sipas prokurorit shtetasit Lei Shen i janë vendosur prangat në momentin e daljes nga territori i Republikës së Shqipërisë, në pikën e kalimit kufitar, në momentin kur po kryente veprimet për të udhëtuar në drejtim të Italisë me linjën ajrore Alitalia. “Lei Shen ishte shpallur person në kërkim ndërkombetar pasi disa kohë më parë ka konsumuar veprën penale të vjedhjes me anë të mashtrimit të disa filialeve të bankave në Kinë duke falsifikuar dokumente. Gjithçka Shen e ka realizuar duke qenë me detyrë menaxher shërbimi në degën “Gaoxin”, të bankës së Kinës”, pohoi prokurori dje në seancë. Ndërsa vetë i arrestuari e mohoi akuzën duke pretenduar se nuk ka kryer asnjë vepër penale në shtetin e tij. Më tej ai tha se ishte nisur të shkonte në Itali për disa punë dhe pastaj do rikthehej sërish në vendin e tij. Po kështu gjatë deklarimeve në gjykatë ai mohoi edhe përfshirjen e bashkëshortes në krimin për të cilin akuzohej, duke pretenduar se ajo tashmë ndodhej në Kinë dhe nuk i ishte komunikuar asnjë akuzë. Sipas policisë dhe informacioneve nga Interpoli, mësohet se kinezi është akuzuar për vjedhjen e disa bankave me anë të falsifikimit te dokumenteve pasi ka qenë punonjës e përfaqësues i disa subjekteve që operojnë në këtë fushë. fa.ma.