Tiranë, hidhet në erë makina e efektivit
Tiranë- Hidhet në erë makina e një efektivi të policisë së Tiranës. Shpërthim i fortë është ndier rreth orës 3:35 minuta në zonën e 21 dhjetorit, ndërkohë që mësohet se nuk ka të lënduar por vetëm dëme materiale.
Makina e hedhur në erë ka qënë e efektivit të policisë Edvin Zhupa. Policia dyshon se shpërthimi ka ndodhur si pasojë e vendosjes së lëndëve eksplozive poshtë automjetit.
Shpërthimi ka qënë aq i fuqishëm saqë ka dëmtuar edhe asfaltin në vendin ku ndodhej makina.
Copëza të makinës dhe disa dokumente janë gjetur në vendin e ngjarjes, të cilat kanë zbardhur dhe disa detaje në lidhje me mjetin. Makina ishte ma targa gjermane dhe në të janë gjetur mjaft dokumente të makinave të sekuestruara, të cilat mendohen se ishin pjesë e dokumentacinot të punës së punonjësit të policisë. Gjithashtu mësohet se mjeti, me targa OF HA 502, ka hyrë në Shqipëri në vitin 2005 dhe mbahej nga punonjësi i policisë.
Policia nisi menjëherë hetimet, ndërkohë që paraprkisht dyshohet se ngjarja ka lidhje me detyrën e punonjësit të policisë. Policia ka përqëndruar hetimet edhe në dëshminë e vetë punonjësit të policisë, si dhe në filmimet e siguruara nga kamerat e sigurisë pranë vendit të ngjarjes, për të identifikuar autorët.