E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuna nga bashkëshortët, urdhra mbrojtje për 4 gra

 

TIRANE - Policia e Tiranës ka lëshuar urdhra mbrojtje për katër gra, të cilat kanë kërkuar mbrojtjen ligjore, pasi keqtrajtoheshin nga bashkëshortët. Njëra nga gratë që kanë bërë kallëzime të tilla është edhe një nënë 72-vjeçare, e cila dhunohej fizikisht nga i biri 42 vjeç. Sipas burimeve nga policia mësohet se gratë për të cilat është plotësuar kërkesë padia për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes janë Nurishana Topulli, Haxhire Rada, Alida Lloshi dhe Rortera Krasniqi. Në Komisariatin Nr.3 është paraqitur për të kërkuar mbrojtje ligjore 58-vjeçarja Nurishana Topulli, e cila ka treguar se bashkëshorti i saj Ardian Ahmeti, 55 vjeç, ushtronte vazhdimisht dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj. Gjithashtu, të njëjtën gjë ka kërkuar në Komisariatin Nr.5 edhe 28-vjeçarja Alida Lloshi, për të cilën është plotësuar kërkesë padia për urdhër mbrojtje të menjëhershëm, nga bashkëshorti i saj Ylber Lloshi, 37 vjeç. Sipas Alida Lloshit, ajo dhunohej vazhdimisht fizikisht dhe psikologjikisht nga i shoqi. E njëjta kërkesë është bërë edhe në Komisariatin Nr.6 nga 52-vjeçarja Rortera Krasniqi, e cila pretendon se bashkëshorti i saj Fatos Krasniqi e ka dhunuar fizikisht në dhjetëra raste. Për të tria gratë policia ka plotësuar padinë për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme dhe të gjitha materialet ia ka kaluar Gjykatës së Tiranës. Ndërkohë, një rast i ngjashëm me tre të parët është regjistruar në Komisariatin Nr.4 në Tiranë. Këtë herë një grua kërkonte të merrej në mbrojtje, jo nga bashkëshorti, por nga djali i saj. Sipas policisë Haxhire Rada, 72 vjeçe, ka treguar para oficerëve të policisë se djali i saj Agron Rada, 42 vjeç ka ushtruar vazhdimisht dhunë fizike ndaj saj. Edhe për këtë rast policia ka dërguar materialet në gjykatë për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes. Burime nga policia bënë të ditur se gjatë këtij viti ka pasur një numër rekord grash dhe vajzash, të cilat janë paraqitur në komisariate për të kërkuar të mbrohen nga bashkëshortët, vëllezërit, djemtë, madje edhe kunatat dhe kunetërit. Që nga fillimi i këtij viti e deri më sot, urdhrat e mbrojtjes që ka lëshuar gjykata e kalojnë shifrën 300 në të gjithë vendin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›