E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, ish-shefi i Ndërtimores aksidenton dy policët privatë

• TIRANE - Ish-drejtori i Policisë Ndërtimore të Tiranës, Erjon Softa, aksidenton me autoveturë dy policë të një shoqërie private sigurie që udhëtonin me motor.

Sipas burimeve, dy policët privatë nuk kanë pësuar dëmtime të rënda dhe serioze. Ngjarja ndodhi, mesditën e djeshme kur ish-kreu i Ndërtimores së kryeqytetit ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij të markës “Volkswagen Pasat”, me targa TR 4033 P, ndërsa ka humbur drejtimin e mjetit duke u përplasur me motorin e Policisë Private. Aksidenti ndodhi në bulevardin kryesor mesditën e djeshme, fare pranë dy kullave në qendër të Tiranës. Polici i trafikut që ndodhej në kryqëzim, ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa ish-kreu i Ndërtimores, Erjon Softa, ka ndaluar mjetin e tij për t’iu ardhur në ndihmë dy efektivëve të Policisë Private. Dy personat që udhëtonin me motor, kanë pësuar dëmtime të lehta në trup pas rrëzimit të mjetit. Ata janë trembur më tepër se sa kanë marrë plagë dhe nuk kanë preferuar të shkojnë në polici për të ndjekur çështjen. Policia pas këqyrjes së vendit të ngjarjes ka nisur hetimin për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit të ndodhur në qendër të Tiranës. Drejtuesi i mjetit “Pasat” është pyetur nga policia dhe më pas është lënë i lirë, pas mbajtjes së një procesverbali për ngjarjen. Ndaj tij policia ka nisur një hetim në gjendje të lirë, duke qenë se edhe dy personat e rrëzuar që udhëtonin me motor nuk kanë pasur dëmtime fizike.           d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›