E Diel, 1 Nëntor 2026

Qëllon shefin e zjarrfikësve: Më hoqi nga puna, s’isha i PD

• Godet shefin e zjarrfikësve me grushte, pasi e akuzon se e hoqi nga puna pse nuk ishte militant i pozitës.

BERAT/ DILAVER XHELILI

Duke u justifikuar me faktin se drejtori po e hiqte për bindje politike, Dhimitër Sino ka vepruar fizikisht, por ka përfunduar në pranga.
Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme në ambientet e repartit të Mbrojtjes Ndaj Zjarrit, në qytetin e Beratit. Sipas dëshmitarëve dhe familjarëve të 34-vjeçarit Sino, ai është irrituar kur ka mësuar se në vend të tij ishte vendosur një person tjetër. Rreth 8 ditë më parë, Sinos, kreu i repartit, Skënder Vraka i kishte komunikuar vendimin e shkarkimit nga detyra që mbante prej 10 vitesh. Motivacioni zyrtar i deklaruar për heqjen nga puna ishte reformimi në radhët e zjarrfikësve dhe për pasojë disa persona do të largoheshin. Ndonëse ishte pranuar nga Sino fillimisht ky motiv, ditë më vonë ka mësuar se megjithë reformën, pozicioni i tij ishte zëvendësuar shumë shpejt. Në këtë gjendje ka mbërritur në repart, duke u ballafaquar me drejtorin Vraka. Sipas burimeve të policisë, të cilat kanë marrë dhe deklarimet e dëshmitarëve, Sino i ka kërkuar llogari ish-drejtorit pse e kishte hequr, duke shfrytëzuar bindjet politike, pasi ai kishte 10 vjet në këtë detyrë. Ai ka thënë se gjatë kësaj periudhe nuk ka marrë asnjë vërejtje nga puna që të justifikonte largimin. Bazuar dhe tek thëniet e familjarëve, Vraka nuk i ka dhënë shpjegime të tjera, duke iu shprehur, “mjaft hëngre ti, tani do hanë të tjerët”. Kjo përgjigje ka bërë që Sino të reagojë, duke e qëlluar me grushte ish-shefin e tij. Menjëherë Vraka ka kërkuar ndihmën e policisë, forcat e së cilës kanë bërë arrestimin e 34-vjeçarit, me akuzën e dhunës për shkak të detyrës. Pas kësaj mase kanë reaguar familjarët e Sinos, sipas të cilëve faji është i drejtorit, sepse ka punësuar ka hequr brenda një muaji 8 policë të zjarrfikëses, duke emëruar persona që nuk janë aspak profesionistë, por janë simpatizantë të Partisë Demokratike. Mësohet se pas pyetjes për ngjarjen, drejtori i MNZ-së, Skënder Vraka ka pohuar se Sino është larguar për shkak të reformës, duke hedhur poshtë pretendimet e tij. Policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet për dhunën, deri në sqarimin e plotë të rrethanave dhe motiveve që çuan në përdorimin e saj.

Fier/ PS: Kompanitë e naftës punësuan militantë

FIER – “Maskaradë politike” është cilësuar reforma politike që pritet të ndërmerret në dy kompanitë më të fuqishme të naftës “ARMO” dhe “ALBPETROL”. sh.a. Deklarata u bë dje nga kreu socialist i Fierit, Arjon Muça. Sipas tij, numri i përgjithshëm i punonjësve, i miratuar për të dalë në asistencë është 1706 vetë. “I gjithë numri i punonjësve që pritet të dalë në asistencë rezulton të jetë jashtë strukturës së miratuar, të futur në punë në 2 vitet e fundit si militantë të Partisë Demokratike, duke i shkaktuar një dëm të madh ekonomik shtetit për të gjithë periudhën e punësimit të tyre, pa miratimin nga organet eprore të kompanive si këshillat mbikëqyrës”. Muça tha dje, se pjesa më e madhe e këtyre punonjësve, të gjithë kryetarët e PD-së në fshatra figurojnë vetëm në listë-pagesat e ndërmarrjeve dhe pa u paraqitur fare në vendet e tyre të punës marrin pagat në bankomatet e bankave. Ai kërkoi nga KLSH-ja verifikimin e situatës dhe nxjerrjen e dëmit ekonomik të shkaktuar.       m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›