Tiranë, lahej në liqen, mbytet 15-vjeçari
TIRANE Një 15-vjeçar u mbyt paraditen e djeshme në një liqen në afërsi të Sharrës në Tiranë, ku kishte shkuar të lahej me shokët e lagjes. Ngjarja ndodhi rreth orës 11:00, në rezervuarin që u shërbente banorëve të zonës për ujitjen e të mbjellave dhe që fëmijët e përdornin edhe për të notuar. Rezervuari njihet nga banorët e zonës si liqeni i Vrapëve dhe sipas burimeve, edhe vitet e kaluara kanë ndodhur ngjarje të tilla. Sipas burimeve nga Policia e kryeqytetit mësohet se 15-vjeçari me inicialet N. C. ka qenë duke u larë me shokët e tij dhe në një moment ai nuk ka mundur të dalë dot nga liqeni. Shokët e adoleshentit, pasi kanë tentuar ta nxjerrin dhe nuk ia kanë arritur, kanë nxituar të lajmërojnë familjarët dhe më pas policinë. Trupi i pajetë i adoleshentit u nxor nga rezervuari vetëm pas mbërritjes së polumbarëve të RENEA-s.