Aziz Kelmendi, gjyqi nis më 6 qershor
TIRANE Gjykata e Tiranës cakton datën e seancës së parë ndaj Azis Kelmendit, biznesmeni kosovar i akuzuar për aksidentin ku humbi jetën këngëtarja Elsida Hidersha, e njohur si Emmy. Burime pranë Gjykatës së kryeqytetit konfirmuan se ditën e hënë, datë 6 qershor, ora 11:00, Kelmendi do të përballet në gjykatë me akuzën e ngritur ndaj tij, atë të vrasjes nga pakujdesia. Dosja në ngarkim të Kelmendit u regjistrua pak ditë më parë në gjykatë. Ngjarja për të cilën ai akuzohet ndodhi në orët e para të datës 27 shkurt të këtij viti pranë pub Venue në Tiranë. Hidersha u aksidentua rëndë pas një sherri të ashpër verbal me biznesmenin Kelmendi. Ajo u tërhoq për disa metra nga automjeti i drejtuar prej tij, teksa ishte e varur me duar në xhamin gjysmë të hapur të automjetit. Sipas prokurorisë, përplasja e saj me tokën pas një frenimi të automjetit, i shkaktoi plagë të rënda që i morën jetën më pas.