Masakra e Kozarës, rimerren dëshmitë mbi krimin e katërfishtë

Luan Mara në gjyq
BERAT – Dëshmitarët e masakrës së Kozarës do të rimerren në pyetje në lidhje me dëshminë e tyre për ngjarjen e rëndë, ku u gjetën të vrarë në banesë me armë zjarri burrë e grua dhe fëmija i tyre 2-vjeçar. Veç tyre, do të merren në pyetje edhe ekspertët hetimorë e oficerët gjyqësore, të cilët kanë asistuar në këtë ngjarje duke hartuar edhe procesverbalet përkatëse, që më pas i kanë kaluar në dosje organit të akuzës. Këtë vendim e mori dje Gjykata e Beratit, pas kërkesës në seancën e radhës të prokurorit të kësaj çështjeje. I kërkoj trupit gjykues që të merren edhe një herë në pyetje dëshmitarët e kësaj çështjeje të cilët kanë dëshmuar në seancat gjyqësore më parë, në sajë të të cilave është dhënë edhe vendimi me burgim të përjetshëm. Gjithashtu, kërkoj të merren në pyetje pjesëtarët hetimorë dhe oficerët gjyqësorë, kështu u shpreh dje prokurori që po riheton këtë çështje. Trupi gjykues, duke vlerësuar si të ligjshme kërkesën e akuzës, u tërhoq për të marrë vendimin. Pas pak minutash, gjykata mori vendimin për të plotësuar kërkesën e prokurorit, duke thirrur si dëshmitarë rreth 15 persona. Veç banorëve e oficerëve gjyqësorë, pritet të merren në pyetje edhe ish-avokati i parë që asistoi në mbrojtjen e të pandehurit Luan Mara, i cili akuzohet për vrasjen e katërfishtë të vëllait të tij, kunatës shtatzënë dhe të fëmijës 2-vjeçar, më 10 shkurt të vitit 2006, në banesën e tyre në Kozarë. Gjithashtu, do të ripyetet edhe i akuzuari Luan Mara, dosja e të cilit u kthye për rigjykim nga Gjykata Kushtetuese. Kjo e fundit e riktheu dosjen, meqenëse është konstatuar se i pandehuri e ka pranuar vrasjen e të vëllait në kushtet e dhunës në polici. Dje, avokati mbrojtës, Alban Brengasi, i kërkoi trupit gjykues që të zbatojë vendimin e Kushtetueses pasi ka mungesa provash, ndërsa kërkoi edhe hetimin në gjendje të lirë të Marës. Në sallë pati edhe tension të familjarëve të të pandehurit. Motra e tij ka akuzuar prokurorin për manipulime të dosjes. Ti po e mban kot në burg. Ai është i pafajshëm. Kështu u shpreh dje në Gjykatë motra e Luan Marës, ndërkohë që në seancën e mëparshme, edhe familjarë të tjerë kanë kërkuar shpalljen e tij të pafajshëm, pasi sipas tyre autorë të ngjarjes janë persona të tjerë, të cilët policia e di fare mirë se kush janë. d.xh