Turizmi, me probleme këtë verë
SHKODER Turizmi në zonën e Shkodrës ka probleme. Ka zona si Thethi ku nuk ka energji elektrike dhe rrugë. Ndërsa Velipoja është e pushtuar nga mbeturinat. Kështu ka pohuar kryetari i Këshillit të qarkut të Shkodrës, Gjovalin Kolombi, në një takim, i cili kishte në qendër të tij përgatitjet për sezonin turistik. Sipas tij, mbledhje të tilla duhet të bëheshin muaj më parë, me qëllim që problemet që dalin të riparohen. Tani jemi vonë për të folur për turizmin. Tashmë sezoni ka nisur. Është dashur të takoheshim më parë. Megjithatë, duhet të mobilizohemi që të merren disa masa të shpejta, theksoi Kolombi. Ka qenë prefekti i qarkut, Maxhid Cungu, i cili organizoi në ambientet e Prefekturës takimin mbi situatën dhe problemet me të cilat po ndeshet turizmi në zonën e Shkodrës këtë sezon. Në takim ishin përfaqësuesit kryesorë të njësive vendore, të cilat janë cilësuar si zona turistike, si dhe drejtuesit e institucioneve që lidhen me problemet e turizmit. Një shqetësim më vete për këtë periudhë do të jenë mbetjet urbane në zonën e Velipojës dhe ujërat e zeza në këtë zonë. Kryetari i Këshillit të qarkut të Shkodrës e ka cilësuar si shumë problematike gjendjen në plazhin e Velipojës, kryesisht në grumbullimin e mbeturinave. Komuna e Velipojës po kalon një periudhë ndryshimesh pushteti vendor. Me zgjedhjet e reja lokale fituese është Partia Socialiste, ndaj kryetarit aktual të Partisë Demokratike i duhet të dorëzojë zyrën. Në këto kushte, kur akoma nuk janë bërë dorëzimet, plazhi ka mbetur pa vëmendjen e duhur. Grumbuj të tërë plehrash janë në të dyja anët e rrugëve, madje edhe në plazh, deri te rëra. Prefekti i Shkodrës, Maxhid Cungu, ka pohuar se qëllimi i takimit ishte një ballafaqim me realitetin dhe marrjen e masave që çdo gjë të shkojë normalisht në këtë sezon turistik. r.d