E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, Luan Hoxha: Shtabi nuk dinte çbëhej me urdhrat

Luan Hoxha në gjyq

Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura nuk i është marrë mendim për ngritjen e fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec.Kështu pretendoi dje Luan Hoxha, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, në seancën e radhës gjyqësore në ngarkim të 29 të pandehurve të akuzuar për shpërthimin e 15 marsit 2008 në Gërdec. Pasi dha pëlqimin për tu pyetur, ish-gjenerali Hoxha, një nga të pandehurit e procesit, iu përgjigj pyetjeve të palëve.
Nuk më është kërkuar të jap mendim për Urdhrin 550 të datës 25 prill 2007, të Ministrisë së Mbrojtjes. Me këtë urdhër unë jam njohur me shumë vonesë. Jam njohur pasi urdhri kishte dalë dhe kishte filluar puna për zbatimin e tij. Ky urdhër ka ardhur në Shtabin e Përgjithshëm dhe drejtori i Kabinetit ka vënë shënimin të zbatohet, pasi e kishte këtë kompetencë në mungesën time, u shpreh para gjykatës i pandehuri Hoxha. Sipas Hoxhës, më parë ishte parë një repart ushtarak në Bërzhitë si pikë demontimi. Por, specialistët e Shtabit të Përgjithshëm e kishin vlerësuar këtë vend si të papërshtatshëm. Me anë të një shkrese, në dhjetor të vitit 2006 është kërkuar mendim në lidhje me kryerjen e procesit të demontim-municionit në repartin ushtarak të Bërzhitës. Kjo shkresë i ka ardhur shefit të Shtabit për mendim. Në këto rrethana, shkresa i është dërguar Drejtorisë së Logjistikës në mënyrë që të përgatiste përgjigjen. Drejtoria e Logjistikës ka përgatitur përgjigjen duke konkluduar se Bërzhita nuk ishte e përshtatshme për procesin e demontimit, u përgjigj Hoxha. Ish-gjenerali Hoxha rrëfeu edhe për një vizitë të shkurtër të bërë në Gërdec. Para gjykatës ai tha se qëllimi i vizitës ishte inspektimi i strukturave ushtarake. Kam qenë në Gërdec bashkë me komandantin e Komandës Mbështetëse, Zija Baja, dhe 2 oficerë që shoqërojnë gjithmonë shefin e Shtabit. Në Gërdec kam komunikuar me personelin ushtarak atje, duke i pyetur lidhur me zbatimin e masave të sigurisë ushtarake. Kam biseduar në anglisht për 7-8 minuta me përfaqësuesin e kompanisë amerikane aty. Më tha që po punonin për projektin e demontimit, por shqetësim ishte furnizimi i vazhdueshëm me municione. Qëllimi i vizitës sime në Gërdec ishte të shikoja strukturat ushtarake. Mihal Delijorgjin e njoh. E kam takuar në Gërdec. Ishte prezent dhe Zija Baja, pohoi i pandehuri Hoxha nga banka e dëshmitarit. Hoxha tha dje se nuk kishte dijeni se kush e kishte përballuar koston e ngarkimit të municioneve, si edhe transportin e tyre drejt Gërdecit. Më vonë kam parë, ishte në Urdhrin 2044. Kam parë që shpenzimet do të përballoheshin nga MEICO, tha Hoxha.

Armand Bajrami

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›