E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, më 25 korrik thirret mbledhja e Këshillit bashkiak

TIRANE- Sekretari i Këshillit Bashkiak, Vladimir Gjonaj, thërriti sot mbledhjen e Këshillin e ri bashkiak. Pas verifikimit të mandatit të kryetarit, Lulzim Basha do të bëjë dhe betimin si kryetari i bashkisë së Tiranës, para 55 anëtarëve të këshillit.

Mbledhja është thirrur më 25 korrik ora 10:00. Vladimir Gjonaj në një prononcim për median tha se thërritjen e mbledhjes së këshillit bashkiak e kishte bërë bazuar në ligjin nr 8652 të korrikut 2000 "për organizimin e funksionimin e qeverisjes vendore."

“Fillimisht do bëj verifikimin e kuorumit. Nga 55 anëtarë që ka Këshilli, minimalisht duhet të jenë 28 anëtarë. Më pas do zgjidhet këshilltari më vjetër i cili do të drejtojë dhe mbledhjen e parë të këtij këshilli.”- sqaroi Gjonaj.

Sipas ligjit "Për pushtetin vendor", mbledhja e parë është e vlefshme kur në të marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve, të paktën 28 anëtarë. Nëse nuk mblidhen më shumë se gjysma e anëtarëve të këshillit, mbledhja nuk zhvillohet dhe ajo thirret tre ditë më vonë, por jo më shumë se tre herë. Në rastet kur edhe pas tri herësh thirrje nuk sigurohet pjesëmarrja e kërkuar, këshilli konsiderohet i shpërndarë.

Sipas tabelës përmbledhëse për Tiranën, në bazë të votave të marra në zgjedhjet vendore të 8 majit, koalicioni i djathtë "Aleanca për Qytetarin" do të ketë 28 vende në këshillin bashkiak të Tiranës, ndërsa koalicioni i majtë "Aleanca për të Ardhmen", 27 vende.

Më pas ngrihet komisioni i mandateve i cili do bëjë verifikimin e miratimin e mandateve të anëtarëve të këshillit. Do  bëjnë betimin këshilltarët,, zgjidhet kryetari dhe nënkryetari i këshillit, si dhe zgjidhen anëtarët që do të përfaqësojnë këshillin komunal ose bashkiak në këshillin e qarkut dhe ata pajisen me mandatin e përfaqësimit. Pasi përfundon kjo procedurë vjen momenti i shpalljes së vlefshmërisë së mandatit të ri të kryetarit të ri të bashkisë së Tiranës dhe betimi i tij.
(s.g/balkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Tiranë, më 25 korrik thirret mbledhja e Këshillit bashkiak

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›