E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatorët nisin sot protestën

Minatorët e Bulqizës, të cilët prej më shumë se 10 ditësh e kanë braktisur punën në shenjë proteste, kanë vendosur që sot do të vendosen para Ministrisë së Ekonomisë, Punëve dhe Çështjeve sociale, në një protestë të pandërprerë deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Kreu Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj, deklaron se minatorët nuk do të lëvizin nga Tirana derisa qeveria të gjejë një zgjidhje për situatën e krijuar, e cila brenda dy vitesh i mori jetën 16 minatorëve. “Sot në orën 09. 30 minuta, do të nisim një protestë pa ndërprerje në Tiranë, përpara institucioneve qeveritare, pasi pjesë e këtij problemi është edhe qeveria”- paralajmëroi Kol Nikollaj, duke akuzuar Ministrinë e Ekonomisë se po tregohet “totalisht e papërgjegjshme dhe e pavëmendshme, pasi ajo i ka dhënë koncesionet me licencë dhe ka të drejtën e kontrollit të investimeve, moskryerja e të cilave ka dërguar në përkeqësimin e kushteve të punës, të pagës, dhe të sigurisë.

Nga ana tjetër Nikollaj paralajmëron se keqpërdorimi i shfrytëzimit teknik të minierës rrezikon vendburimet e kromit. Sipas studimeve me ekspertë që ka kryer konfederata e sindikatave, “keqpërdorimi, shfrytëzimi, mos kryerja e investimeve dhe keqpërdorimi I zonës D, rrezikon mbylljen e saj brenda 15- 18 muajsh”, ndërkohë që “kjo minierë është një vendburim kolloz i kromit jo vetëm në Shqipëri por edhe në Europë. “ – tha Nikollaj.

Ai ka kërkuar që minatorët të qëndrojnë të bashkuar dhe të mos bien pre e tentativave përçarëse. P.H.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›