E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pushimet, 50 mijë emigrantë kthehen në vendlindje

Kakavije Në dy pikat doganore mes Shqipërisë dhe Greqisë që ndodhen në Qarkun e Gjirokastrës vazhdon fluksi i kthimit të emigrantëve për të kaluar pushimet verore në vendlindje. Sipas burimeve në Policinë Kufitare në Gjirokastër, gjatë ditëve të fundit nëpërmjet stacioneve kufitare të Kakavijes (Gjirokastër) dhe Çarçovës (Përmet) kanë hyrë në Shqipëri rreth 50 mijë emigrantë. Ndërkohë të dyja policitë kufitare shqiptare dhe greke janë angazhuar për të shmangur radhët e pritjes së emigrantëve në sportelet e përpunimit të dokumenteve në doganat përkatëse. Madje strukturat e Policisë Kufitare në Gjirokastër kanë dërguar efektiva shtesë në të dy stacionet kufitare të Qarkut për të eliminuar radhët e pritjes së emigrantëve që kthehen për pushime. Sipas specialistëve të policisë kufitare, nisur edhe nga tradita e viteve të kaluara, në fund të muajit korrik dhe ditët e para të muajit gusht parashikohet një trefishim i numrit të këmbësorëve dhe automjeteve që do të lëvizin në kufi, krahasuar me periudhën aktuale. Në këto kushte në të dy stacionet kufitare është rritur numri i efektivave të policisë për t’u krijuar emigrantëve kushte sa më normale në udhëtimin e tyre në drejtim të vendlindjes. Gjatë kësaj kohe ne do ta çojmë në 15 numrin e sporteleve të kontrollit në doganën e Kakavijes, thonë drejtuesit e bluve të kufirit. Edhe pala greke nga ana e saj është angazhuar për të shmangur radhët e pritjes gjatë lëvizjes së këmbësorë dhe automjeteve në kufirin mes dy vendeve. Përfaqësues të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit kanë zhvilluar një sërë takimesh me palën greke, duke kërkuar angazhimin e kolegëve matanë kufirit për minimizimin e kohës së përpunimit të dokumenteve për emigrantët në sportelet grekë të stacioneve kufitare të Kakavijes dhe Tri Urave. Sipas përfaqësuesve të strukturave të Kufirit në Gjirokastër, stafet e policisë grekë janë treguar të gatshëm për të rritur nivelin e punës dhe numrin e sporteleve sipas rritjes së fluksit të lëvizjes së emigrantëve.

Bledar Shehu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›