Kryetari i Kalasë së Dodës: Sulmi ndaj meje me motive politike
Bajram Himallari ka denoncuar në prokurori për ngjarjen, ndërsa ka akuzuar uniformat blu se nuk kanë ndërhyrë në momentin kur është qëlluar në mes të ditës
PESHKOPI Sulmin fizik ndaj tij të premten në mbrëmje, kryetari i komunës Kala e Dodës, Bajram Himallari, e konsideron si të motivuar politikisht nga segmente të PD-së. Në një prononcim për “Mapo-n” Himallari tregon momentet e goditjes nga një banor i fshatit dhe heshtjen e të paktën gjashtë efektivëve të policisë që janë ndodhur në vendin e ngjarjes.
Sqarimi
Kryetari i Kalasë tha se “nuk i shkonte ndërmend se dikush do të qëllonte me grushte në prani të 35-40 personave që ndodheshin në takim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për kanalin e ujësjellësit të fshatit”. “Prej disa ditësh ishin penguar punimet për ndërtimin e ujësjellësit. Njoftuam policinë dhe prefekturën për atë që po ndodhte dhe kërkuam zhbllokimin e situatës. Erdhi juristi i prefekturës, Shemsi Kamberi, dhe gjashtë punonjës policie, kryesisht inspektorë të komunave afër Kalasë së Dodës. Teksa vazhdonte debati për zgjidhjen e këtij konflikti, jam goditur befasisht nga Shazivar Ahmati, djali i kryetarit të PD-së për komunën Kala e Dodës. Unë po drejtoja normalisht bisedën, ndërkohë agresori ka ardhur nga pas, ka shfrytëzuar faktin se unë nuk po mbrohesha, pasi isha mes njerëzve që më kanë zgjedhur më 8 maj, dhe kam marrëdhënie shumë korrekte me të gjithë” - shprehet Himallari. Më shumë se sulmi me grushte kryetarin e komunës e ka çuditur mosveprimi i policisë për ta arrestuar në vend të riun që goditi kryekomunarin. “Nuk gjej fjalë për të përshkruar momentin kur Ahmati më goditi mua dhe forcat e policisë nuk reaguan fare, madje e lejuan të largohej prej vendit të ngjarjes sikur të mos kishte ndodhur asgjë. U thashë pse nuk veproni. Unë jam në krye të detyrës. Ju me pretë në besë” - vijoi Himallari të rrëfejë ngjarjen e pazakontë.
Denoncimi
Ai sqaroi se menjëherë pas dhunimit ka bërë denoncim në prokurorinë e Dibrës dhe ka kërkuar ndëshkimin e ngjarjes së rëndë. “Jam i informuar se policia është vënë dy ditë me vonesë në kërkim të autorit, pas urdhër-arrestit të lëshuar nga prokurori i rrethit. Momenti kur policia duhet të kishte vepruar ishte ai kur Ahmati më goditi në sy të shumë qytetarëve. Tani efektivave të policisë do t’i duhen më shumë punë për arrestimin e tij. Unë do të vazhdoj normalisht punën si i zgjedhur lokal dhe pres mbrojtje ligjore nga shteti” - tha Bajram Himallari.
Incidentet
Me 20 gusht të vitit të kaluar Bajram Himallari arrestohet në Tiranë nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve zyrtare. Një këshilltar i komunës Kala e Dodës e kishte kallëzuar atë se gjoja i kishte ndryshuar vendbanimin qëllimisht që ai të mos ishte pjesë e këshillit komunal. Një javë pas arrestimit në një mbledhje të Këshillit të Ministrave vendoset shkarkimi i tij nga detyra. Himallari del nga arresti dhe e dërgon çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundi i jep atij pafajësi. Ndërkohë në fillim të fushatës së zgjedhjeve të 8 majit Himallari pretendon se i ishte zënë pritë nga 5 anëtarë të shtabit elektoral të kandidatit të PD-së. Këta të fundit thanë se ai i kishte kërcënuar me armë, ndërsa Himallari tha se ata i kishin zënë rrugën. P. HASA