E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Tiranës “rrëzon” sërish të plagosurit në Gërdec

Alketa Harizaj dhe Roxhers Durda i kërkuan Gjykatës së Tiranës një proces të dytë kundër Mihal Delijorgjit, Dritan Minxollit e Ylli Pinarit. Mungesa e paditësve “vulosi” pushimin e çështjes

Tiranë Pas Gjykatës së Lartë, edhe shkalla e para ka vendosur të pushojë padinë e dy prej të plagosurve nga shpërthimi tragjik i 15 marsit të vitit 2008 në Gërdec. Ka mjaftuar vetëm një seancë gjyqësore që shkalla e parë të pushojë padinë e Alketa Harizajt dhe Roxhers Durdës të cilët akuzonin katër të pandehurit kryesor të procesit “Gërdeci” për plagosje të rëndë nga pakujdesia. Kërkesë-padia me të dëmtuar akuzues Durdën dhe Harizajn është depozituar në Gjykatën e Tiranës më 23 qershor të këtij viti, ndërsa me short është përzgjedhur gjyqtari Sokol Tona për shqyrtimin e saj. Sipas gjykatës, seanca e parë për këtë çështje është caktuar në datën 14 korrik, ora 10:30 kur pritej që paditësit të lexonin kërkesën ndaj Dritan Minxollit, Mihal Delijorgjit, Sokol Ngjeçit dhe Ylli Pinarit. Por dy kërkuesit edhe pse kishin dijeni për orën dhe datën e zhvillimit të gjykimit nuk janë paraqitur në sallën e gjyqit. Kaq ka mjaftuar që gjyqtari të vendos pushimin e çështjes, çka do të thotë se kërkuesve nuk u është hequr përfundimisht e drejta për ridepozituar kërkesë-padinë. Në fakt kjo çështje ka ardhur për moskompetencë nga Gjykata e Lartë, e cila pak kohë më parë vendosi të pushojë padinë penale ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, të cilin dy të plagosurit e Gërdecit e akuzonin për plagosje të rëndë nga pakujdesia. Në të njëjtën padi kanë qenë edhe katër të akuzuarit kryesor të procesit Gërdecit, për të cilët Gjykata e Lartë është bërë automatikisht kompetente pasi ish-ministri i Mbrojtjes aktualisht është deputeti i Kuvendit të Shqipërisë çka do të thotë se ka imuniteti. Pas rrëzimit të akuzës, që dy të plagosurit ngritën ndaj Mediut, Gjykata e Lartë dërgoi për kompetencë në shkallën e parë katër të akuzuarit e tjerë: Mihal Delijorgjin, Ylli Pinarin, Dritan Minxollin dhe Sokol Ngjeçin. Këta persona akuzohen nga Roxhers Durda dhe Alketa Hazizaj, si përgjegjës për plagosjen e tyre gjatë shpërthimit tragjik të 15 marsit të vitit 2008 në fabrikën e demontimit të predhave në Gërdec. Sipas të plagosurve që kanë marrë dëmtime të shumta fizike nga ky shpërthim, personat e akuzuar prej tyre kanë përgjegjësi për atë që ka ndodhur dhe për këtë arsye duhet të përballen me ligjin. Pas pushimit të çështjes nga shkalla e parë, dy paditësit kanë mundësi të ridepozitojnë padinë po në këtë gjykatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›