Tiranë mediokre fiton me Laçin
Leonard Karaj
Dy barazime, një fitore minimale ka qenë bilanci i tre sfidave të djeshme të luajtura dje për javën e 22 të Kategorisë Superiore. Një fitore mediokre e Tiranës ndaj Laçit dhe nga dy gola në Kavajë dhe Ersekë.Në stadiumin “Besa” të Kavajës, vendasit ndonëse dominuan totalisht ndeshjen ndaj Teutës së Durrësit nuk arritën të merrnin tri pikë të plota. Skuadrat ndaheshin me 10 pikë në renditje, me Besën të renditur në vend të dytë dhe Teutën në vend të 6-të dhe fusha ka pasqyruar më së miri këtë renditje. Vendasit shënuan golin e avantazhit të përkohshëm në pjesën e parë me anë të Daniel Xhafës, por durrsakët barazuan në limitet e fraksionit të parë të lojës me anë të Dostit. Ky i fundit e nisi lojën nga bankina dhe u fut në fushë vetëm në minutën e 23-të në vend të kapitenit Mile, i cili u dëmtua. Në pjesën e dytë Besa kërkoi vazhdimisht golin e fitores por kur topi nuk pritej nga portieri Rizvani, prekte shtyllën. Në dy raste traversa e portës durrsake është lëkundur nga gjuajtje të kavajasve.
Barazim edhe në Ersekë ku vendasit të gjendur në disavantazh pas golit të malazezit Mravleviç mundën të merrnin një pikë falë golit të Sadikut. Gjithsesi duhet thënë se kolonjarët vazhdojnë të rrezikojnë shumë pasi ndodhen në ven të parafundit me 19 pikë, dy më pak se Flamurtari i cili do të luajë sot në fushën e vet ndaj Kastriotit. Ndërsa shkodranët nga ana tjetër nuk shfrytëzuan rastin për të kaluar në renditje njëherësh si Kastriotin dhe Apoloninë, skuadra që kanë po aq pikë, 26 sa Vllaznia por që duhet ende të luajnë takimet e tyre sot. Ndërsa në Tiranë, bardheblutë e drejtuar nga zv/trajneri i ri Luan Sengla morën një fitore minimale të vuajtur përballë një Laçi, të paparashikueshëm. Si asnjëherë tjetër më parë, dje është parë një Tiranë që pas golit mundohej më shumë për të vonuar lojën sesa për të siguruar rezultatin. Kjo tregon në një farë mënyre gjendjen aspak të mirë në të cilën ndodhen kampionët në fuqi. Goli i vetëm për ta u shënua nga Arbër Abilaliaj në minutën e 28-të të pjesës së parë.
Pas rezultateve të djeshme është përvijuar pak a shumë renditja e Superligës në përfundim të fazës së dytë. Madje nga takimet e sotme cilido qofshin rezultatet nuk do të ndikojnë të paktën në përvijimin e kalendarit për fazën e tretë. Në bazë të këtij klasifikimi 6 ekipet e para Dinamo, Besa, Tirana, Laçi, Shkumbini e Teuta do të kenë mundësi të luajnë një ndeshje më shumë në fushën e tyre për pjesën e tretë të kampionatit.