E Shtunë, 31 Tetor 2026

Christiane Amanpour - Gazetarja zbraz çantën e luftës



Ka qenë në frontet më të nxehta të luftimit. Ka raportuar nga Iraku, Afghanistani, Palestina, Irani, India, Izraeli, Pakistani, Somalia, Ruanda, pa lënë mënjanë Ballkanin dhe uraganin Katrina në SHBA. Christiane Amanpour është një nga ikonat e gazetarisë së luftës. Bijë e një nëne londineze dhe një babai iranian, nëna e një djali 9-vjeçar, Amanpour ia ka kushtuar jetën gëzetarisë. Për 20 vjet me radhë ka qenë korrespondente për CNN, duke mbuluar të gjitha krizat botërore të këtyre dy dekadave. Ka takuar dhe intervistuar figurat më të debatuara të politikës botërore, që nga Millosheviç, tek presidenti i Sudanit, Omar Hassan al Bashir. Prej 21 shtatorit të vitit të shkuar, ajo drejton një program të sajin, të quajtur "Amanpour", në CNN, i cili hyn më në thellësi të ngjarjeve më pikante të momentit. Gazetarja pranon t'i tregojë apartamentin dhe përditshmërinë e saj, kolegëve të "New York Times".
Mosha: 52
Profesioni: Gazetare
Projekti aktual: “Amanpour”, një program i përjavshëm në CNN, që investigon ngjarje ndërkombëtare.
1. Diktatori më i dashur: Slobodan Milloshevic. Ai mund të të rrihte shpatullat dhe të të ofronte një pije. Ai u përpoq të ishte tërheqës. Por shumë diktatorë bëjnë të njëjtën gjë sepse duhet të jenë të kujdesshëm.
2. E keqja më e madhe e të jetuarit në një zonë lufte: Të mundohesh të mbahesh i papërlyer dhe të ruash një sens dinjiteti individual mes humbjeve masive.
3. Kënaqësia e raportimit gjatë luftës: Shumë njerëz thonë se ajo çfarë i tërheq korrespondentët e luftës, është rreziku. Në fakt ajo që më gëzon më shumë është të munden ata që janë shkatërrimtarë. Gjithashtu, fakti që ndihem pjesë e një komuniteti të vogël që po kalon nëpër atë çfarë kaloj edhe unë dhe kjo të bën të mendosh se po bën diçka të vlefshme.
4. Letrat e fansave: Njerëzit më dërgojnë gjëra të bukura nga e gjithë bota. Tani kam para syve një mbajtëse të vogël stilografi, të realizuar në perla, ku shkruhet CNN Christiane Amanpour”. Duhet të ketë ardhur nga Irani.
5. Rutina e mëngjesit: Nuk fle mirë, por zakonisht çohem nga shtrati në orën 07:00. Për një orë përgatitem vetë dhe bëj gati tim bir. Dëgjoj NPR-në dhe gjatë gjithë kohës e ndez dhe e fik në varësi të asaj çfarë mund të jetë e përshtatshme, ose jo për veshët e djalit tim. Dal nga shtëpia në orën 08:00.
6. Përgatitja për punë: Marr me vete vetëm më të domosdoshmet. Kam sajuar me kohë një farë uniforme që më lehteson rutinën e mëngjesit dhe shkuarjen në punë.
Në Bosnjë vishja të njëjtat petka. Ishin ngjyrë ulliri me një kapuç fals dhe u bëra madje e njohur me të.
7. Gjithmonë me vete: Byzylykë ari, xhingla nga Irani dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme.
8. Talente që lakmon: Shpresoj të jem zbavitëse dhe shumë më e shkathët.
9. Këndi i preferuar në apartament: Dhoma e ngrënies, sepse ka një pamje mahnitëse dhe rrihet shumë nga dielli.
10. Hobi: Kalërimi. Një nga mjeshtrit e mi të vjetër ishte mësuesi im i kalërimit në Iran. Ai ishte një ish- kolonel i ushtrisë iraniane. Mësova të kalëroj si profesioniste. Garova në Iran. Më dha energjinë fizike dhe kurajon që më duhej në punën time.
11. Sendi i preferuar që lidhet me kalërimin: Kaska ime. Për disa kohë e kisha humbur ingranimin e duhur, por tani e kam sërish. është fantastike.
12. Objekti i preferuar në apartament: Një pikturë e madhe që e kam marrë në Iran, disa vite më parë nga Farideh Lashai, një mik që është gjithashtu një piktor abstrakt-ekspresionist, që ka për t’u bërë i shquar. Ajo më jep gëzim sa herë që hyj në derë.
13. Një send i vjetër që nuk mund ta hedhë: Laptopi që përdor tani, një Sony Vaio i 2005-ës. Përgjithësisht unë nuk ndryshoj në një hap me teknologjinë.
14. Si i thotë të birit që po niset në luftë: Kur ishte më i vogël nuk i tregoja. I thosha thjesht: “Mami po shkon në punë”. Bëhet më vështirë teksa rritet. Tani është 9 vjeç, por nuk e lë asnjëherë të shohë lajmet në televizion, kështu që ai nuk është në dijeni të të gjitha ngatërresave.
15. Mbledhja e gëzhojave: Kam një pjesë të gëzhojës së një predhe të pashpërthyer që ra në hotelin, ku po qëndroja gjatë luftës në Sarajevë, në Bosnje në mes të viteve ‘90. E përdor si mbajtëse çadrash, por është një dëshmi e rëndësishme, që më kujton se kam qenë me fat që kam shpëtuar gjallë dhe shëndoshë prej andej.
16. Intervista më e vështirë: Presidenti i Sudanit, Omar Hassan al Bashir. Ishte shumë e vështirë që ta bëja t’i përgjigjej ndonjë pyetjeje. Po mundohesha të kuptoja se pse qeveria Sudaneze e ndjeu të nevojshme të sulmonte Darfurin dhe të bombardonte fshatrat. Ishte një mohim i plotë dhe i vazhdueshëm i fakteve “bardhë e zi”.
17. Figura më e poshtër e historisë, me të cilin do të donte të bisedonte: Do më kishte pëlqyer të intervistoja Stalinin. Do kisha dashur të eksploroja me të procesin e shndërrimit nga një njeri i zakonshëm në një vrasës masiv megalomanjak.
18. Krimi më i egër ndaj gazetarisë së fundmi: Gjatë viteve të kaluara, vrasja ka qenë shkaku kryesor i vdekjes mes gazetarëve përreth botes. Mund të thuash se në të vërtetë njerëzit po vrasin lajmëtarin
19. Vendi më i tmerrshëm ku ka qenë: Ruanda. Në një hapësire kohore prej 90 ditësh, rreth një milion njerëz u vranë me hanxharë dhe shkopinj. Kur isha në Ruandë në 1994, gjithçka shihje ishte errësirë, madje edhe në një ditë me diell.
20. Keqkuptim rreth lajmeve televizive: Njerëzit mendojnë se janë për budallenj dhe se lajmet janë pa përmbajtje.
21. Nderime mbretërore: Në 2007-ën u bëra zotëruese e urdhrit më të lartë të Mbretërisë Britanike. Mendova thjesht se ishte këndshëm të shkoje në pallat dhe ta merrje këtë urdhër nga Mbretëresha. U lejova që të merrja me vete edhe nënën time angleze dhe babanë iranian.
22. Kujtime të hershme nga CNN: Kam punuar në CNN që nga shtatori i vitit 1983. CNN nisi më 1980. Kështu që kam qenë atje që herët. Ne ishim një grup pionierësh dhe besonim në atë që po bënim, por nuk e dinim as nëse ky eksperiment do të zgjaste.
23. Dhurata më e bukur që i kanë bërë së fundmi: Atletet blu prej kamoshi të tenisit që më ka dhënë Billie Jean King. Ato janë kopje e atyre palëve që ajo veshi në ndeshjen e saj legjendare kundër Bobby Riggs.
24. Personazhi me të cilën identifikohet: Xho në romanin “Gra të vogla” e Louisa May Alcott, pasi ndonjëherë më duket sikur i përkas një ere të re.
25. Rutina e mbrëmjes: Shkoj vonë në shtëpi. Nëse nuk dal për punë, rri në shtëpi. Kemi darkë si familje. Gjëja më e rëndësishme është të vë tim bir në shtrat përpara se të dal. Koha kur fle varion.
26. Puna e përditshme më pak e pëlqyeshme: Të gatuaj. Nuk di të gatuaj. Kur të lë punën si gazetare, do filloj të mësoj.
27. Zakonet që lidhen me Tv: Nuk shoh shumë televizor. Më së shumti shoh, apo regjistroj dokumentarët, apo disa programe kulturore. Shpesh shoh programet humoristike të orëve të vona, si Jon Stewart dhe Stephen Colbert
28. Në moshën 5-vjeçare ajo donte të bëhej: Një kampione e Uimbëlldonit, apo një yll rroku
29. Supersticione: Turrem drejt dritave të qirinjve dhe kishave, kudo që jam.
30. Rituali i udhëtimit: Thjesht bëhem gati me shpejtësi dhe nisem. Udhëtimi është natyra ime e dytë.
31. Libri i fundit që keni lexuar: është një libër i fundit që kam lexuar, por ka një tjetër libër, për të cilin dua të flas
32. E keqja e lajmeve në TV: Kur shefat mendojnë se amerikanët janë aq budallenj dhe të pa interesuar të fokusohen në thelbin e gjërave prandaj kënaqen me sensacione.
33. E keqja e gazetave: Boja që mbetet në gishtat dhe mbi rrobat e mia.
34. Shpresa për të ardhmen: Ndjej se jam në kulmin e diçkaje të re në jetën time. Vetëm se nuk di se çfarë është tani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›