Lezhë, qëllohet me armë, djali i shefit të Zjarrfikëseve
LEZHE – Një person qëlloi dje disa herë me armë zjarri në drejtim të një bashkëmoshatari të tij në qytetin e Lezhës. Sipas policisë, autori i ngjarjes është identifikuar dhe është 19-vjeçari Ardi Zef Frani. Policia tha se ai qëlloi me armë zjarri me breshëri në afërsi të lokalit në pronësi të Pashk Currit, në kohën kur pranë këtij objekti po kalonte shtetasi R.Curri, 18 vjeç. Fillimisht policia dyshoi se bëhej fjalë për një tentativë vrasje ndaj të riut R.Curri, por më pas dyshimet e policisë flasin për një shkatërrim të qëllimshëm prone, pasi plumbat e armës kanë goditur lokalin e Pashk Currit në afërsi të ish ndërmarrjes së Grumbullimit në Lezhë. Ngjarja ndodhi rreth orës 15.40, në kohën kur pranë lokalit ishte duke kaluar i riu R. Curri. Pak minuta pas, policia ka mbërritur në vendin ku ishin dëgjuar të shtënat me armë. Pas hetimeve paraprake, policia tha se autori i ngjarjes është shtetasi Ardi Zef Frani, 19 vjeç nga Lezha. Pasi ka qëlluar gjashtë plumba mbi kokën e R. Currit, autori është larguar nga vendi i ngjarjes me një makinë e cila drejtohej nga shtetasi Armand Loci. Plumbat e breshërisë kanë goditur të gjithë murin e lokalit në pronësi të shtetasit Pashk Curri. Nga hetimet e policisë, ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur në kohën kur R.Curri, 18 vjeç, po dilte nga lokali në pronësi të Pashk Currit, në afërsi të ish-grumbullimit në Lezhë. Në këtë kohë një mjet Golf me targa të huaja që drejtohej nga Armand Loci, është afruar në vendin e ngjarjes. Pasagjer në autoveturë ishte i dyshuari për ngjarjen e djeshme, Ardi Zef Frani. Ai ka zbritur menjëherë nga autovetura me një automatik Kallashnikov ka qëlluar në drejtim të 18-vjeçarit R. Curri. Ky i fundit ka hyrë menjëherë në lokalin e babait të tij ndërkohë që autori i ngjarjes, ka vazhduar të qëllojë me breshëri automatike mbi lokalin dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Policia e Lezhës, ka thënë dje se nga hetimet, dyshohet se autori i breshërive me armë zjarri ka pasur për qëllim kërcënimin e R.Currit, i cili është drejtori i sektorit të Zjarrfikëseve në këtë qytet. Pak muaj më parë, lokali i autorit të ngjarjes së djeshme, Ardi Zef Frani, ishte djegur dhe në ekspertizën mbi ngjarjen, babai i të riut që u qëllua dje me armë, ishte shprehur se zjarri kishte ardhur nga shkëndija elektrike. Pronari i objektit kishte këmbëngulur se kolpot e energjisë elektrike i kishin djegur lokalin, por shefi i zjarrfikëseve nuk është tërhequr. Policia dyshon se pasi Ardi Zef Frani nuk ka mundur të bindë Pashk Currin që të ndryshonte ekspertizën dhe ka vendosur të hakmerrej ndaj tij duke i kanosur të birin. Policia e Lezhës tha dje se në vendin e ngjarjes janë gjetur gjashtë gëzhoja automatike, ndërsa janë ngritur postblloqe në të gjithë akset e hyrje daljeve të qytetit me qëllim kapjen e autorit i cili ishte i lirë deri në mbrëmjen e djeshme.