E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirane ndotja ne nivele alarmante. Banoret e kercenuar

Ajri i ndotur, që thithim pritet të rrisë në mënyrë të ndjeshme sëmundjet, që shkaktohen nga ndotja. Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik kanë matur këtë të hënë në qendër të kryeqyetit një ndotje dy herë më të lartë sesa normat e lejuara. Sipas specialistit të Ajrit, Agron Deliu, të gjithë elementët ndotës, si grimcat e imta apo dhe ato të forta të pluhurit janë në nivele mjaft shqetësuese, aq sa konsiderohen si kërcënim për jetën e njeriut. Për këtë, Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka renditur Shqipërinë ndër vendet me nivel më të lartë ndotjeje.

"Mesatarisht vlerat e cilësisë së ajrit në Tiranë, në pikën e qendrës janë rreth 2- 2.5 herë mbi normat e lejuara. Në një shkallë klasifikimi ndërkombëtare me 10 njësi,ku 4 është mirë, 7 është e rrezikshme dhe 10 është shumë e rrezikshme, Tirana si 9-mujor është 7.5", tha Agron Deliu, Specialisti i Ajrit, ISHP.

E njëjta situate paraqitet edhe ne rrethet kryesore te vendit. Niveli i ndotjes edhe pse nuk është në ato përmasa sa në Tiranë, sërisht i tejkalon normat e caktuara nga OBSH.

"Në rrethe situata në parim, në pikat që ne matim, është dicka më mirë se në Tiranë, po përsa i përket përmbajtjes së grimcave të imta, në të gjithë rrethet janë mbi normat e BE. Dhe atje kjo lidhet me shkarkimet e rrugëve, sepse një pjesë e madhe e grimcave krijohet nga risuspendimi i tyre  nga lëvizjet e trafikut", vijon Deliu.

Këto ditë priten, që në disa rrethe të tjera të vendit të ngrihen stacione me laboratorë, të cilët do të matin ndotjen e ajrin. Ndërkohë pritet të mbahet dhe një takim urgjent nga përfaqësuesit e OBSH në vendin tonë me krere të institucioneve publike, ku do të lihen dhe detyra për zbutjen e nivelit të ndotjes.

Julia Bardhushi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›