E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, nëna e dy fëmijëve theret me thikë nga i shoqi

Gazeta Shqip

Autori, Arben Koxhaj, ndalohet nga policia. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një grindjeje të çastit

Krimi brenda familjes shënon viktimën e radhës në kryeqytet. Një 42-vjeçar ka qëlluar gjashtë herë me thikë mbi bashkëshorten e tij, Manjola Koxhaj, 32 vjeç. Nëna e dy djemve, ka ndërruar jetë pak pas mesnatës së djeshme në spitalin ushtarak në Tiranë. Ndërkohë që autori i ngjarjes, Arben Koxhaj është arrestuar nga policia vetëm pak minuta pas ngjarjes. Burimet policore pohojnë se ngjarja ka ndodhur në banesën e çiftit Koxhaj, në lagjen Misto Mame në Tiranë.

Dyshohet se 42-vjeçari është kthyer në shtëpi në gjendje të dehur dhe pas një debati që ka pasur me bashkëshorten, e ka qëlluar disa herë me thikë. Më pas e ka transportuar për në spitalin ushtarak, ku ajo ka ndërruar jetë për shkak të plagëve të thella dhe hemorragjisë së madhe. Autori ka deklaruar se ishte penduar për veprimin dhe se kishte qenë i dehur. Dyshohet se çifti ka pasur shpesh herë debate për shkak se bashkëshorti konsumonte alkool dhe ishte i papunë. Trupi i pajetë i 32-vjeçares është tërhequr nga morgu i spitalit nga familjarët, të cilët kanë organizuar ceremoninë mortore në vendlindjen e saj, Poliçan.

Krimi në familje po merr përmasa alarmante në vendin tonë, ndërkohë që vetëm brenda kësaj jave janë shënuar tre viktima. Mbrëmjen e së hënës, 29-vjeçari Hysen Biba, hodhi nga dritarja e maternitetit foshnjën e tij 3 ditëshe, pas dyshimeve që kishte për atësinë. Ngjarja ndodhi në maternitetin Koço Glozheni në Tiranë. Dy ditë më pas, në fshatin Arrë të Dukagjinit, një 45-vjeçar vrau me çifte vajzën 14-vjeçare, sepse e kundërshtoi dhe nuk pranoi të shkonte të kulloste bagëtinë.

2 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)

Tiranë, nëna e dy fëmijëve theret me thikë nga i shoqi burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›