Asambleja parlamentare e Këshillit të Europës
Funksionimi i institucioneve demokratike në Shqipëri
Rezoluta 1709 (2010)1
1. Asambleja parlamentare shpreh keqardhje për krizën politike, e cila ka dëmtuar seriozisht politikën shqiptare pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009, me bojkotin e Parlamentit nga opozita e udhëhequr nga Partia Socialiste dhe kontestimin e legjitimitetit politik të qeverisë së udhëhequr nga Partia Demokratike. Në një Parlament ku mazhoranca qeverisëse nuk ka 3/5, që është shumica e kërkuar për të miratuar reforma kryesore kushtetuese, ky bojkot i bën shumë reforma të nevojshme të pamundura. Kjo situatë dëmton qytetarët shqiptarë dhe ambiciet e tyre për integrimin europian.
2. Asambleja shpreh keqardhje që ky bojkot ka dëmtuar marrëdhëniet e Shqipërisë me asamblenë. Pas zgjedhjeve të qershorit 2009, delegacioni i ri i asamblesë nuk është caktuar as pas gjashtë muajsh, ndërsa pjesëtarët e mëparshëm të opozitës në delegacion nuk frekuentojnë aktivitetet e asamblesë.
3. Asambleja vëren se mungesa e dialogut politik dhe bojkoti, veçanërisht pas rezultatit të zgjedhjeve, përbën një problem në Shqipëri dhe që pengon funksionimin demokratik të institucioneve të shtetit.
4. Asambleja shpreh më tej keqardhje për faktin se në mungesë të një dialogu parlamentar kuptimplotë, retorika e përdorur nga palët shkon në rritje. Kjo mund ta destabilizojë më tej vendin.
5. Asambleja kujton se Shqipëria ka aplikuar zyrtarisht për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian më 28 prill 2009. Më 16 nëntor 2009, Këshilli ftoi Komisionin Europian që të përgatisë opinionin mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim. Megjithatë, në situatën aktuale, progresi i vendit drejt integrimit europian është bërë shumë më i vështirë. Shqipëria, ndryshe nga tre vendet e saj fqinje, nuk është kualifikuar nga Këshilli i Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave.
6. Asambleja shpreh gatishmërinë të ofrojë një mundësi për arritjen e një zgjidhjeje dhe të punojë në bashkëpunim të ngushtë me organizatat e tjera ndërkombëtare, në kërkim të një zgjidhjeje politike të krizës. Asambleja mbështet të gjitha përpjekjet, përfshirë ato të ndërmarra nga Presidenti i Shqipërisë, z.Topi, për të bërë së bashku partitë shqiptare. Në këtë drejtim, konsideron se një tryezë e rrumbullakët, ku të mblidhen të gjitha partitë politike në Shqipëri, mund të kontribuojë në përmirësimin e klimës politike dhe rivendosjen e bazave të dialogut parlamentar.
7. Asambleja i kërkon qeverisë shqiptare dhe opozitës t’i japin fund krizës aktuale politike në vend dhe të marrin përgjegjësitë e tyre, në mënyrë që të vazhdohet me reformat e nevojshme jetike për vendin, që mund të shënojnë progres drejt integrimit europian, objektiv i përbashkët për të gjithë. Në veçanti, asambleja i kërkon qeverisë të ngrejë, pa vonesa të mëtejshme, një komision hetimor parlamentar për zgjedhjet e qershorit 2009, që do të respektojë vendimin përkatës të Gjykatës Kushtetuese për komisionet e hetimit parlamentar. Në të njëjtën kohë, asambleja i bën thirrje opozitës për t’u kthyer në Parlament, që të luajë plotësisht rolin e saj.
8. Asambleja u bën thirrje autoriteteve shqiptare për të zbatuar rekomandimet e vëzhguesve të zgjedhjeve të qershorit 2009, me qëllim përmirësimin, në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin e Venecias, të kornizës legjislative zgjedhore, duke rritur kapacitetet e administratës zgjedhore. Në veçanti sa i përket:
8.1 Regjistrit të gjendjes civile dhe regjistrit të zgjedhësve, dhe në këtë kontekst, duhet të gjejnë një zgjidhje për problemin e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
8.2. Rregullimit të mbulimit mediatik dhe financimit të fushatës, që u krijojnë disavantazhe partive jo prezente në Parlament.
8.3. Rregullimit të transparencës që lidhet me pronësinë e mediave dhe rolin e tyre në forcimin e besimit të votuesve te sistemi zgjedhor.
8.4. Mënyrës së zëvendësimit të komisionerëve të niveleve të ulëta, që është në kundërshtim me një administratë të paanshme dhe profesionale.
8.5. Rregullave të përfshirjes së femrave në listën e kandidatëve, në mënyrë që të garantohet se ato janë në një pozitë të privilegjuar.
8.6. Evitimit të të drejtave të posaçme për parti politike që marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare.
9. Asambleja fton më tej zyrtarët e partive politike dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në Shqipëri, për të ngritur një grup të përbashkët, që të evidentojë të gjitha rastet e presionit të ushtruar mbi qytetarët në fushatën zgjedhore dhe të nxjerrë përgjegjësitë për ata që kanë shkelur ligjin elektoral.
10. Me qëllim që të mbështesë procesin e zgjidhjes së situatës aktuale politike, për të ndihmuar Presidentin Topi në rolin e tij të ndërmjetësit dhe përpjekjen e tij për të rivendosur dialogun e tij politik, duke ndihmuar në dhënien fund të bojkotit që bazohet në pranimin e rezultatit të zgjedhjeve të fundit dhe restaurimin e plotë të demokracisë parlamentare, asambleja vendos të kërkojë:
10.1. Presidenti Topi, në qoftë se ka ndonjë mënyrë, të mund të ndihmojë për arritjen e zgjidhjes.
10.2. Komuniteti ndërkombëtar dhe përfaqësuesit diplomatikë në Tiranë t’i sugjerojnë ndonjë veprim të mëtejshëm Kuvendit.
10.3. Grupet parlamentare të asamblesë të ushtrojnë ndikimin e tyre mbi partitë përkatëse në politikën shqiptare.
10.4. Komiteti i presidentëve, së bashku me bashkë-raportuesit e komisionit të monitorimit, të vizitojnë Shqipërinë sa më shpejt pas këtyre punimeve të asamblesë.
#