Tiranë, operacion anti-drogë, sekuestrohen 2kg kokainë, 4 të arrestuar

Policia kryeqytetit ka goditur një rrjet të trafikut të kokainës në Tiranë. Në një operacion blic, shoqëruar me kontrolle të befasishme janë bllokuar 2 kilogram kokainë dhe në pranga janë dërguar 4 persona, që dyshohet se janë pjesë e një rrjeti të trafikut të drogës në Tiranë.
Burime policore thanë se operacioni është vazhdim i disa goditjeve të tjera në kryeqytet, ku janë kontrolluar në zonën pranë Shkollës së Kuqe disa banesa dhe janë verifikuar dhjetra persona. Përveç drogës së kapur e llojit kokainë janë evidentuar edhe rrugët në të cilat bëhej trafikimi e më pas shitja me doza e saj.
Policia ka bërë të ditur se operacioni do të jetë në vazhdimësi, pasi hetimet janë përqëndruar në një rrjet mjaft të gjerë të trafikut kryesisht të drogës së llojit kokaina që është edhe më e shtrenjta dhe njëkohësisht me e rrezikshmja për konsumuesit e saj.
Mbrëmjen e djeshme në portin e Durrësit, një operacion i ngjashëm nga Policia e Durrësit në bashkëpunim me forcat RENEA bëri të mundur sekuestrimin 8.2 kg heroine.