Sa janë në shesh? Lind programi që numëron kokat
Ekzagjerimet e liderëve politikë dhe shoqatave të ndryshme që kërcënojnë rivalët e tyre se janë 100 mijë apo 1 milion në tubime kundër tyre, kanë nxitur programuesit të shpikin një program, i cili numëron kokat e njerëzve që janë në shesh, me një gabim maksimal prej 15 për qind. Programi është shpikur në Spanjë nga Juan Manuel Gutiereez. Ai ka deklaruar për “El Paìs” se në tubimin kundër Zapateros ishin në shesh 55-60 mijë persona. Gutierrez është themeluesi i programit “Lynce”, i shoqërisë me të njëjtin emër që ka shpikur programin që numëron kokat. “Projekti ‘Lynce’ do të vlerësojë saktë shprehjen e opinionit publik, duke ofruar një metodë rigoroze të deklaratës se sa pjesëmarrës ka në këto veprime publike”, tha ai. Pra, sipas tij, programi shkencor ofrohet si metër i demokracisë, pa qëllime politike. Projekti ka theksuar se në manifestimin e fundit të komunitetit Gay, ku afirmohej pjesëmarrja e një milionë e gjysmë përfaqësuesve, pjesëmarrja në realitet ishte vetëm 58 mijë njerëz. Numërimi bazohet në analizën matematike të “rrjeteve neurone”, por edhe një analizimi të imazheve dixhitale, të lexuara dhe “numëruara” nga një kompjuter.