E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhurmë për marrëveshjen e kufirit Kosovë-Maqedoni

 

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë është përshëndetur dhe kritikuar brenda dhe jashtë kufijve të tyre, duke krijuar “zhurmë” në mediat e vendeve që janë prekur prej saj. Ndërsa qeveria amerikane e ka përshëndetur vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Maqedonisë që pasoi marrëveshjen, duke e quajtur këtë një hap të rëndësishëm për stabilitetin dhe fqinjësinë e mirë, Serbia zyrtare vazhdon të kërcënojë Shkupin, se do të ketë pasoja pasi marrëveshje ai mund të bënte vetëm me Beogradin për territorin e Serbisë (siç pretendon ende për Kosovën). Nacionalistët në Beograd shprehen se Maqedonia ka qenë në presion të dyfishtë për marrëveshjen e “imponuar”: të etnisë shqiptare dhe Bashkimit Evropian, i cili “ka shfrytëzuar aspiratat e saj për të qenë një vend anëtar”. Marrëveshja ka ndarë edhe klasën politike në vend. Partia e kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE dhe partia opozitare LSDM kanë pozicionuar në kahe krejt të kundërta për marrëveshjen e kufirit Kosovë-Maqedoni. Ndërsa Gruevski e vlerëson atë si çështje me rëndësi të madhe për shtetin, LSDM thotë se qeveria ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë. “Për ndryshimin e kufijve, gjë që ndodhi, Kushtetuta qartë parashikon një procedurë krejt ndryshe dhe miratim me dy të tretën e shumicës në Parlament dhe shprehjes së vullnetit të qytetarëve nëpërmjet referendumit. Këtë fakt Qeveria e Maqedonisë dhe Gruevski vendosën që ta fshehin nga opinioni vendor në mënyrën më të ashpër, duke bërë kështu shkelje direkte të Kushtetutës dhe rendit juridik”, tha kreu i LSDM-së, Branko Cërvenkovski.

Hyseni përshëndeti marrëveshjen 
“Përditë e më shumë po vërtetohet se pavarësia e Kosovës ka krijuar një sens të ri të sigurisë dhe të stabilitetit në rajon, ka sjellë një frymë të re të stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon dhe kjo po jep rezultatet e veta. Marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë do të jenë një indikator kyç për rrjedhime të tjera dhe zhvillime të tjera në Ballkanin Perëndimor. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes vendeve tona ka rëndësi të shumëfishtë”, tha ministri i Jashtëm i Kosovës në një intervistë për BBC.

Protesta kundër marrëveshjes kufitare
Jo të gjithë e mbështesin marrëveshjen e kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë të përshëndetur gjerësisht edhe në botë. Banorët e fshatit Debëllde kanë njoftuar për sot një protestë kundër saj në zonën “Kodra e Furrës”. Kjo zonë ende nuk është e qartë se në cilin territor do të kalojë, pasi marrëveshja nuk është detajuar në publik. Nëse zona i kalon Kosovës, 22 hektarë të pronave private të banorëve mbeten jashtë territorit. Banorët kërcënojnë me përshkallëzim të veprimeve kundër kësaj marrëveshje.
 
PDSH: KE, gabim për shqiptarët
Partia Demokratike Shqiptare në Maqedoni ka tërhequr vëmendjen e Komisionit Evropian lidhur me vlerësimet për shqiptarët në raportin e KE-së për Maqedoninë. Menduh Thaçi ka theksuar se përshëndesin raportin pozitiv, mirëpo sipas tij, ka vërejtje të mëdha dhe partia e tyre nuk mund të heshtë përballë padrejtësive dhe informimit të gabuar për gjendjen e shqiptarëve. “PDSH fton KE-në të dërgojë një delegacion ekspertësh për verifikimin e fakteve, veçmas rreth implementimit të Marrëveshjes së Ohrit”, ka theksuar kryetari i PDSH-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›