E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirane peticion kunder Dick Marty. Firmetare nga te gjitha partite

Një grup organizatash të veteranëve të luftës së UÇK-së kanë ndërrmarrë nismën e hartimit të një peticioni kundër raportit të Dick Marty që akuzon krerët kosovarë për trafikim organesh. Peticioni ka mbërritur në Tiranë ku është nënshkruar pa hezitim nga qytetarë të thjeshtë e deputetë të parlamentit shqiptar.

Ish- kryeministri socialist Pandeli Majko, deputeti Arben Malaj e kreu i PDU-së Shpëtim Idrizi ishin të parët që firmosën peticionin që kundërshton raportin e zviceranit Marty.

“Raporti i Dick Marty ka një provë të madhe inteligjence, por dhe për ne shqiptarët që duhet të provojmë se ne nuk mund të bënim në të njëjtën kohë dy gjëra, të luftonim për lirinë dhe të ishim mafiozë në të njëjtën kohë” tha Majko.
“Ky raport nuk drejtohet thjesht kundër Kosovës, por kundër gjithë shqiptarëve kudo që janë. Është i arsyetuar dhe i ligjshëm që gjithë shqiptarët të reagojnë” tha Idrizi.

“Raporti nuk ka statusin për të krijuar këtë impakt negativ mbi shqiptarët dhe aq më tepër mbi Kosovën dhe mbi UÇK. Sa më shpejt të ecë procesi demokratizues i Kosovës aq më e shpejtë dhe aq më e plotë bëhet paqja për gjithë Ballkanin” tha Malaj.

Peticioni konsideron raportin e Dick Marty një përpjekje të qëllimshme për të njollosur shqiptarët. Pas mbledhjes së firmave në dy kryeqytetet shqiptare, Tirane e Prishtinë peticioni do të depozitohet në Këshillin e Europës, institucioni të cilit nënshkruesit i drejtohen me kërkesën për të mos e miratuar raportin që një muaj më parë shkaktoi polemika të forta ndërkombetare për shkak të akuzave të rënda në drejtim të krerëve të shtetit të ri të Kosovës.

Rovena Moçka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›