E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, plagos veten aksidentalisht i riu

 

TIRANE – Plagos veten aksidentalisht i riu kryeqytetas. Policia e Tiranës pohoi dje se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në rrugën e Dibrës, kur është njoftuar në sallën operative se një person ishte plagosur në këmbë me pistoletë. Pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, policia ka verifikuar se i plagosuri ishte 22-vjeçari Sefer Kulla, person me precedentë penalë të mëparshëm. Sipas policisë, e cila është mbështetur edhe në deklarimet që ka dhënë vetë i dëmtuari, arma është shkrepur ndërsa 22-vjeçari po e nxirrte nga brezi. Ai ka tërhequr pa dashje këmbëzën, ndërsa ajo kishte qenë e pasiguruar dhe me plumb në fole. Pas kësaj i dëmtuari është dërguar në spital për të marrë mjekime, ndërsa policia pohon se ka nisur ndaj tij hetimet nën akuzën e “armëmbajtjes pa leje”. Hetimet paraprake ende nuk e kanë zbardhur arsyen që e detyroi të riun të nxirrte armën, por mendohet se gjithçka ka qenë aksidentale. Ndërkohë pas verifikimeve në komisariat ka rezultuar se 22-vjeçari ishte dënuar me tre muaj burg në vitin 2007. Sipas vendimit gjyqësor të dy viteve më parë, Kulla është gjetur fajtor për vjedhjen e një motoçiklete një fqinji të tij, të cilin e kishte shitur në një servis automjetesh. Pak ditë më vonë, i dëmtuari e sheh rastësisht motorin në shitje dhe i telefonon policisë, ku hetimet nxjerrin se autori i vjedhjes ishte pikërisht i riu Kulla. Pas kësaj ai arrestohet dhe gjykohet duke shfrytëzuar procedurat e gjykimit të drejtpërdrejtë.                                   fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›