Super-ryshfeti me kontrollin e naftës, pranga drejtorit
Etleva Delia
Arrestohet për korrupsion drejtori i Inspektoriatit Qendror Teknik të Karburanteve së bashku me dy inspektorë të kësaj drejtorie. Tre zyrtarët u ndaluan në flagrancë, në momentin që po merrnin 17 mijë euro nga përfaqësuesi i kompanisë “Kalaja Sh.a.”, në këmbim të ndihmës në kryerjen e kontrollit teknik dhe zhdoganimit të anijes me karburant në portin e Durrësit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në konferencë shtypi, tha se të arrestuarit janë drejtori i Inspektoriatit të Karburanteve, Virgjil Joti dhe dy vartësit e tij, inspektorët Luan Qato dhe Kastriot Llakaj. Burime nga grupi hetimor thanë se fillimisht u arrestuan dy inspektorët, në momentin kur Kastriot Llakaj i kishte kërkuar përfaqësuesit të kompanisë së karburanteve 20 mijë dollarë, por ai i kishte ofruar 17 mijë euro, të cilat u kapën dje pas dorëzimit. Më pas u zbulua bashkëpunimi i tyre me drejtorin, Virgjil Joti, i cili po ashtu u arrestua me akuzën e “korrupsionit”. Ai kishte qenë në dijeni të skemës së ryshfetit dhe madje kishte premtuar dhënien e lejes për naftën, pasi të bëhej pagesa e parave. Pas përfundimit të operacionit të koduar “Bojaxhiu”, që u finalizua me arrestimin e 3 zyrtarëve, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, tha se zyrtarët kishin marrë në total gjatë disa muajve një shumë ryshfeti me vlerë 100 mijë dollarë. Sipas Hysni Burgajt, për arrestimin e Jotit, Qatos dhe Llakajt, janë dashur 8 muaj hetime, gjatë të cilave është zbuluar se ata kanë përfituar 100 mijë dollarë, nga 10 mijë dollarë për një zhdoganim anije me karburant. Skandali në Inspektoriatin Qendror Teknik të Karburanteve merr përmasa më të mëdha, pasi hetimi zbuloi se drejtuesi i këtij institucioni ka krijuar barriera për subjekte që kishin karburant me cilësi të mirë, të cilët i kërcënonte me mosdhënien e lejes nëse nuk paguanin ryshfet.
HETIMI
Në një deklaratë për shtyp, drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, publikoi detajet e operacionit të Departamentit të Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Njësisë Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës. Kallëzimi për rastin e fundit të ryshfetit ishte bërë dy ditë më parë, ndërsa prokuroria dokumentoi në kohë rekord skemën e korrupsionit. “Nga hetimet e kryera nga Departamenti i Hetimit të Krimit në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore të Prokurorisë së Tiranës, rezultoi se shtetasit e sipërpërmendur për një periudhë 8-mujore në vazhdimësi i kanë kërkuar një biznesmeni shumën 10 mijë dollarë për çdo anije të zhdoganuar. Në këtë formë kanë përfituar në mënyrë të paligjshme në total shumën prej 100 mijë dollarësh”, deklaroi dje drejtori Hysni Burgaj. Ai tha se për zbulimin e aferave korruptive janë përdorur metodat speciale të hetimit, që më pas sollën edhe arrestimin e 3 zyrtarëve.