Vritet me 7 plumba shqiptari për larje hesapesh në Athinë
• ATHINE - Një emigrant shqiptar u vra mëngjesin e djeshëm vetëm pak kilometra larg qendrës së Athinës, ndërsa dyshohet se shkak i krimit ka qenë larja e hesapeve mes palëve.Viktima, emri i të cilit nuk është bërë i ditur prej policisë, është qëlluar me shtatë plumba. Para se të ndahej nga jeta në një spital në Pire, emigranti shqiptar ka përmendur emrin e autorit të vrasjes, i cili mësohet se ka qenë i njohur i viktimës. Ngjarja ndodhi në një "Internet-caffe" në rrugën "Tre Gerarhia" të lagjes Petralona. Viktima e vrasjes, u qëllua me shtatë plumba nga një person që dyshohet se është edhe ai shqiptar. Para vrasjes autori i krimit ka qenë duke biseduar me viktimën në një qendër interneti. Sipas dëshmitarëve okularë që ndodheshin brenda në lokal, dy shqiptarët ishin duke diskutuar me njeri-tjetrin, por pak çaste më vonë, tonet e bisedës u bënë më të ashpra duke kaluar më pas në gjakderdhje. Përgjegjësi i qendrës së internetit ka ndërhyrë, duke u kërkuar dy shqiptarëve të dalin jashtë ambienteve dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet mes tyre. Pak minuta më pas viktima e vrasjes është qëlluar shtatë herë me armë zjarri brenda në lokalin, që është përgjakur nga plumbat e shqiptarit. Në fillim, njëri prej dy shqiptarëve u largua nga vendi i krimit, për t'u kthyer pak më vonë me një pistoletë në dorë. Ai ka zbrazur shtatë plumba mbi trupin viktimës, duke e plagosur rëndë atë. Autori i vrasjes u largua më pas nga vendi i krimit, me një motoçikletë që e kishte parkuar jashtë lokalit ku ndodhi ngjarja. Trupi i viktimës menjëherë është transportuar në spitalin Xanio të Pireut dhe në orën 02:00 të mëngjesit, me gjithë përpjekjet e mjekëve ai ka ndërruar jetë. Viktima është 25 vjeç. Pak çaste para se të vdiste, 25-vjeçari ka arritur të shqiptojë emrin e vrasësit, por pa mundur të tregojë diçka për shkakun e ekzekutimit. Policia greke, menjëherë pas ngjarjes është vënë në kërkim të autorit të vrasjes, por pa rritur ta arrestojë atë. Vrasësi mësohet se ka ikur me shpejtësi nga vendi i krimit, duke shfrytëzuar një motoçikletë të cilën e mbante me vete para se të ekzekutonte viktimën. Sipas raportit të hetimeve paraprake nga policia e Athinës, viktima nuk kishte precedentë penalë, ndërsa dyshohet se shkak i vrasjes ka qenë larja e hesapeve. m.c