E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuesja: Jo abuzim me gjykimet e shkurtuara

TIRANE – Gjykimet e shkurtuara janë kthyer në një problem për Drejtësinë shqiptare. Metoda e shqyrtimit të dosjeve penale, në të cilat i pandehuri pranon provat dhe akuzën e përfiton ulje të 1/3 të dënimit në fund të procesit, janë bërë objekt i rregullimeve të reja nga Gjykata Kushtetuese. Duke marrë shkas nga rasti i animuar nga i pandehuri Leonard Luzi, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që “asnjë gjyqtar nuk mundet të dënojë një të pandehur për një akuzë tjetër ose t’i ndryshojë akuzën në kohën që ai pranon akuzën për të cilën ndodhet nën gjykim”. Gjykata Kushtetuese thekson se asnjë gjyqtar nuk mundet ta dënojë një të pandehur më shumë se pretenca e kërkuar nga prokurori, në rast se kërkon gjykim të shkurtuar dhe kërkesa e tij pranohet”. Sipas vendimit, gjykatat e Shkallës së Parë dhe Apelit, nëse bëjnë ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale dhe të dënojnë të pandehurin me një masë dënimi më të rëndë se ajo e kërkuar nga prokurori, instituti do të humbiste çfarëdolloj justifikimi kushtetues, për arsye se i pandehuri duke hequr dorë në mënyrë të vullnetshme nga disa parime kushtetuese, si parimi i barazisë së armëve dhe nga parimi i kontradiktoritetit, do të sakrifikonte të drejtat e tij kushtetuese. Kjo jo vetëm pa pasur asnjë lloj përfitimi, por edhe duke marrë një dënim më të lartë nga ai që priste. Gjykata Kushtetuese ka arritur në konkluzionin se, kur nga gjykatat e juridiksionit të zakonshëm procedohet me gjykim të shkurtuar, procedim në të cilin, duke qenë se gjykata merr në konsideratë vetëm dosjen e prokurorit, nuk ekziston mundësia e realizimit të së drejtës së mbrojtjes efektive nga i pandehuri, ndryshimi i cilësimit juridik të veprës penale nga ana e gjykatës, është në kundërshtim me qëllimin e këtij gjykimi. Sipas Kushtetueses, në rastin kur gjyqtari vendos për gjykim të shkurtuar, jo vetëm për shkak të ekonomisë gjyqësore, ai duhet ta marrë në konsideratë veprën penale për të cilën prokurori e ka sjellë në gjyq të pandehurin. Nëse gjyqtari ka dyshime mbi këtë cilësim, atëherë ai duhet ta rrëzojë kërkesën për gjykimin e shkurtuar dhe të vijojë me gjykim të zakonshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›