Tiranë, shpërndante drogë, arrestohet 24-vjeçari
Policia e Tiranës ka arrestuar sot një 24-vjeçar i cili është kapur me 60 gramë kokainë dhe 65 gramë heroine. Burime nga policia bëjnë me dije se në sajë të operacionit të koduar "Juristi" është arrestuar 24-vjeçari Krisald Sotiraq Kundraxhi, me profesion Jurist ndërsa është proceduar 32-vjeçari Ened Miharrem Murati.
Sipas policisë Krisald Kundaxhi është arrestuar pas një ndjekje 2 mujore të tij, si person i dyshuar për shpërndarje dhe tregëtim të lëndës narkotike kokainë dhe heroinë.
Kapja dhe më pas arrestimi në flagrancë i tij, u realizua në ambjentet e një llotoje, e ndodhur pas Fakultetit të Gjuhëve të huaja Tiranë.
Në cilësinë e provës materiale janë gjetur dhe sekuestruar sasia prej 60 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë, 65 grame lëndë e dyshuar heroine dhe 6 doza të pergatitura për shitje me peshë 1.8 grame lëndë narkotike e dyshuar heroinë.
Gjithashtu policia ka sekuestruar edhe 40 fishekë luftarakë model 56, 1 peshore me mbishkrimin Model M-600 e cila ka shërbyer për peshimin dhe ndarjen e lëndës narkotike në doza,1 motor i markës Kavasaki me targe OPN 559, i cili shërbente për shpërndarjen e lëndëve narkotike në zona të ndryshme të Tiranës, 3 telefona celualre të markave të ndryshme, 60.000 lekë të reja, 35 dollarë dhe 25 euro të cilat mendohen se janë përfituar nga shitja e lëndes narkotike.
Sipas policisë zona e shpërndarës së lëndës narkotike kokainë dhe heroinë ishte pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Fakultetit Filologjik, zona e ish Bllokut dhe zona të tjera në Tiranë.