Tirane vrasje me thike te Zogu i Zi dy pasagjere vrasin faturinon

Një faturino 17-vjeçar ka mbetur i vdekur i qëlluar me thikë pas një konflikti me dy pasagjerë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 16:45 në furgonin e linjës Tiranë-Durrës, ku punonte viktima Julian Çuni, nga Babrroi.
Sipas policisë dy pasagjerët kanë hipur në afërsi të Stacionit të Trenit, dhe në afërsi të Sheshit Rilindja kanë nisur të debatojnë me faturinon dhe shoferin.
Në afërsi të ish shkollës së partisë, pasagjerët kanë nisur të përleshen me faturinon dhe në përleshje e sipër e kanë qëlluar atë me thikë.
17-vjeçari ka marrë plagë të rënda nga goditjet me thikë, dhe ndërsa dy autorët kanë zbritur nga furgoni, shoferi e ka çuar bashkë me mjetin në spitalin ushtarak. Sipas mjekëve, 17-vjeçari ka ndërruar jetë pak çaste më vonë si pasojë e plagëve të rënda.
Skuadra e hetimit të krimeve ndaj jetës dhe shëndetit ka nisur hetimet për ngjarjen, duke bërë një përshkrim të pamjes dhe të të dhënave të tjera që mund të çojnë në identifikimin e autorëve. Sipas policisë ngjarja ka ardhur nga një grindje e çastit.