Vlore vendoset busti i Ismail Qemalit ne Kanine

Pas gati një shekull plotësohet amaneti i birit të Vlorës, Ismail Qemali: “Më varrosni në Kaninë, të kem Skelën përkarshi”. E pikërisht në këtë vit jubilar të pavarësisë Kanina pa të plotësuar amanetin e djalit të saj. Tashmë busti i tij është vendosur në qendër të këtij fshati.
Në një ceremoni të organizuar në Kaninë ku ishin të pranishëm shumë personalitete të politikës, historisë e akademikë, busti zbulohet nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami.
Nuk kanë munguar në këtë ceremoni edhe përfaqësuesit e familjes Vlora, pasardhës të Ismail Bej Vlorës.
Shumë krenarë për birin e tyre, themeluesin e shtetit shqiptar janë ndjerë edhe kaninjotët, të cilët u kanë dhuruar me këtë rast të ftuarve të shumtë edhe flamurin e Kaninës.
Ndërsa në Vlorë, studentët e dhjetorit, që kontribuuan në krijimin e shtetit demokratik shqiptar, kanë kryer homazhe tek varri i Ismail Qemalit, pranë sheshit të flamurit, për të nderuar figurën e tij.
Me tej ata kanë qenë protagonistët kryesorë të ceremonisë së dhënies së titullit “mirënjohje e qarkut”, organizuar nga Këshilli i qarkut të Vlorës.