E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Rritja e shitjeve ne vend faktoi suksesin e modelit ekonomik

Kryeministri, Sali Berisha ka vlerësuar rritjen e shitjeve në tregun shqiptar. Kështu, gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, duke iu referuar pikërisht deklaratave të tregtarëve shqiptarë, kreu i qeverisë e cilësoi këtë si një moment mjaft të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik në vend. Por nga ana tjetër, Kryeministri tërhoqi vëmendjen e opozitës parlamentare, e cila ka kundërshtuar në vijimësi shifrat për rritje ekonomike. Sipas tij, përpara se opozita të shpërfillë këto shifra, ajo duhet t'i analizojë ato. “Shitjet në vend njohin një rritje 25.6 për qind këtë vit se një vit më parë. Tregtia është gjaku i ekonomisë. Deklaratat e vetë tregtarëve tregojnë një rritje të fuqisë blerëse në këtë vend. Nuk ka gjë më të sigurtë se ajo që tregojnë vetë shitësit dhe tregëtarët. Pra qarkullimi i gjakut në ekonominë shqiptare është në formën më të mirë. Dua të t’i them kreut të opozitës, që vizitoi  dyqanet e deputëtëve të tij në Durrës, të paktën mos e politizo çështjen. Nuk them se s’ka lista të qytetarëve në dyqane, por unë them që po bëjmë gjithçka për punësimin, është e faktuar që nuk ka rritje të papunësisë”, vuri në dukje Berisha. Madje në këtë kontekst, kreu i qeverisë i rikujtoi lidershipit socialist se e gjithë propaganda e tij kundër të dhënave zyrtare, rezultoi e kotë. “Bënë një vit luftë duke shpërndarë imele kundër INSTAT, po tani çfarë do t’i thonë BE-së që Shqipëria pati rritje katër herë më të madhe se mesatarja e rajonit, po atyre që thonë që në vend nuk u rrit papunësia, që investimet e huaja arritën? Pra para se të bëhen problem statistikat analizoi më parë ato”, nënvizoi Kryeministri.  Ndërkohë që  duke iu referuar rendit të ditës në këtë  mbledhje, e konkretisht projekt-ligjit për burimet e energjisë së rinovueshme, Berisha vlerësoi faktin se Shqipëria ka platforma mitike ere.  “Duket se perënditë e erës aty kanë ndërtuar shtëpitë. Me ligjin që ne miratojëm garantojmë kuadrin ligjor më të shkëlqyer për këta investitorë që të shfrytëzojnë burimet maksimalisht dhe në respekt të plotë të mjedisit. Shqipëria do të jetë shumë shpejt superfuqi energjetike”, deklaroi Berisha.  Po kështu Kryeministri bëri me dije se në këtë mbledhje të rardhës do të miratohen një sërë vendimesh, ndër të cilat ai për infrastrukturën, furnizimin me ujë në Farkë. 
“Një fond financiar shtesë Bashkisë së Vlorës për rikonceptimin e Sheshit të Flamurit. Do ta bashkë financojmë, por edhe e përgëzoj zotin Gjika dhe shembulli i tij uroj t'i frymëzojë dhe kryetarët e tjerë të bashkive dhe komunave. 100 vjetorin e kemi konceptuar si mbarëkombëtarë, dhe duhet kontributi i të gjithëve për ta festuar siç duhet”, u shpreh Berisha. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›