E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranës si lejohet hap fals në ‘Qemal Stafa’

Autori i Lajmit: Redaksia
Tiranë - Java e 10-të e kategorisë superiore do të startojë të shtunën, në orën 13.00, në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit, me ndeshjen Apolonia-Kastrioti. Ndërkohë, po të shtunën e 7 nëntorit 2009, por në orën 14.00, në dy stadiume të tjera do të nisin edhe dy ndeshje të tjera të kësaj jave. Konkretisht, në stadiumin “Qemal Stafa”, Tirana do të presë Shkumbinin e Peqinit, ndërsa në Ersekë, Gramozi vendas do të presë Teutën e Durrësit. Një ditë më pas, të dielën, në orën 13.00, në stadiumin e Vlorës, kuqezinjtë e drejtuar nga Gugash Magani do të presin miqtë nga Laçi, kurse një orë më vonë, në orën 14.00, në qytetin juglindor të Korçës, Skënderbeu vendas do të nisë ballafaqimin me Vllazninë. Për t’u mbyllur kjo javë, e cila shtrihet në tri ditë, do të shërbejë kryesfida e Kavajës, ku dy kryesueset, Dinamo dhe Besa, do të “përplasin brirët” me njëra-tjetrën. Ndeshja në fjalë është parashikuar të fillojë në orën 13.30. Kjo është shtrirja grafike kohore e ndeshjeve të javës së 10-të të superligës, e cila është e parafundit sa i takon fazës së parë. Sikurse duket edhe nga kalendari përkatës, epiqendra do të jetë Kavaja, e cila ka fatin se do të jetë njohur me të gjitha ndeshjet e tjera, të zhvilluara të shtunën dhe të dielën. Në kryesfidën Besa-Dinamo, vendasit do të synojnë patjetër fitoren, për të kompensuar disi diferencën e krijuar me blutë e vendit të parë, në kuotën e 5 pikëve. Thënë ndryshe, do të bëjnë çmos t’i shkaktojnë Dinamos humbjen e parë në këtë kampionat, gjë të cilën s’ia ka bërë askush deri më tani. Një “rekord” të tillë e kishin edhe vetë kavajasit, deri javën e shkuar, por ua theu Kastrioti në Krujë, teksa e mundi skuadrën e Shpëtim Duros 1-0, me një gol të shënuar nga Abazaj në minutat shtesë. Ky hap fals i Besës u shfrytëzua nga Dinamo, që mundi 4-0 Gramozin në “Qemal Stafa” dhe e rriti distancën me vendin e dytë (mbahet nga Besa) në 5 pikë. Një komoditet më shumë kjo për blutë kryesues, që do të vihen para Besës, në ndeshjen e së hënës, me pikë më shumë dhe një moral të lakmuar psikologjik. Sepse, edhe barazimi u bën shumë punë bluve, pasi ruan epërsinë në pikë, plot 5 të tilla. Nga ana tjetër, duket se ujërat janë trazuar disi në kampin kavajas, për vetë faktin se në dy ndeshjet e fundit, ndaj Apolonisë në fushën e tyre dhe ndaj Kastriotit në Krujë, kanë marrë vetëm një pikë. Një rendiment shumë i ulët për një skuadër që pretendon titullin, por që tregon se ka probleme në vijën e parë, në konkludim. Sidoqoftë, më shumë se të gjitha ndeshjet e deritanishme, ballafaqimi direkt i së hënës do të tregojë sa vlejnë realisht të dyja skuadrat kryesuese. Nëse Dinamo fiton, atëherë “arratiset” vërtet, duke u bërë thuajse e pakapshme nga ndjekësit, nëse ndodh e kundërta, fiton Besa, gjithçka hapet. Këtu kemi parasysh edhe zgjimin e Tiranës në ndeshjet e fundit. Fitorja e javës së kaluar e bardhebluve në Shkodër ka krijuar premisa mjaft pozitive që Tirana të arrijë kreun. Por, që ta bëjë këtë, duhet të gabojë si fillim Dinamo, më pas, pse jo,edhe Besa. Sepse kampionët në fuqi tashmë po vigjëlojnë. Duke qenë se në javën e 10-të do të presin në shtëpi Shkumbinin, presupozohet, të paktën në letër, se i kanë marrë edhe 3 pikë. Të cilat, në kushtet e një barazimi të mundshëm në Kavajë, edhe kjo javë, si e kaluara, çon ujë në mullirin bardheblu. Vllaznia e fundit, si kurrë më parë, do ta kërkojë fatin në Korçë, prej nga synon të bëjë kthesën e shumëpritur e shumëdiskutuar. Një detyrë e vështirë, po të kemi parasysh se Skënderbeu nuk fal në fushën e tij. Gjë që e tregoi edhe ndaj Dinamos kryesuese, 2 javë më parë, teksa e frenoi me një barazim 1-1. Pak më tutje, në Ersekë, Gramozi i vendit të fundit në renditje do të jetë i detyruar të fitojë patjetër, nëse do ta mbajë veten me shpresa mbijetese. Përballë Teutës, një kundërshtar i rrezikshëm për këdo, kolonjarët nuk do ta kenë aspak të lehtë. Kështu që tensioni dhe adrenalina e kësaj ndeshjeje pritet të jetë e lartë. Ashtu si në Vlorë, ku Flamurtari do të diskutojë pikët me Laçin. Dy skuadra me një ecuri gati identike, por që nuk i shkon për shtat Flamurtarit. Kështu që barazimi i kuqezinjve, arritur javën e kaluar në Fier, nuk do të kishte asnjë kuptim, nëse nuk pasohet me fitore ndaj Laçit, këtë javë. Të njejtat llogari bëjnë edhe kurbinasit, të cilët ndihen në mënyrë persistente të rrezikuar në zonën e mbijetesës. Thënë ndryshe, një javë me llogari të hapura kjo e 10-ta, ku asnjë palë nuk ka luksin të lëshojë pe, përkundrazi, të gjithë kanë nevojë jetikë për pikë.

Java e 10-të

Sot

Apolonia-Kastrioti (ora 13.00)
Tirana-Shkumbini (ora 14.00)
Gramozi-Teuta (ora 14.00)

Nesër

Skënderbeu-Vllaznia (ora 14.00)
Flamurtari-Laçi (ora 13.00)

09.11.2009

Besa-Dinamo (ora 13.30

RENDITJA, JAVA 9

1 Dinamo 9 23
2 Besa 9 18
3 Apolonia 9 17
4 Teuta 9 15
5 Tirana 9 14
6 Kastrioti 9 12
7 Shkumbini 9 11
8 Skënderbeu 9 10
9 Laçi 9 8
10 Flamurtari 9 8
11 Vllaznia 9 7
12 Gramozi 9 7
Ky lajm është publikuar: 07/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›