Tito shpëton Poloninë kundër Greqisë
Poloni-Greqi 1-1
Shënues: Levandoski 17/Salpingidis 51
POLONIA: Shezni, Pizcek, Vazilevski, Perkis, Boenisk, Muravski, Polanski, Ribus (Titon 70), Obraniak, Blazikovski, Levandoski. Tr.: Smuda.
GREQIA: Kalkias, Torosidis, Papastathopulos, Papadopulos K. (Papadopulos A. 36), Holebas, Karagunis, Katsuranis, Maniatis, Ninis (Salpingidis 46), Gekas (Fortunis 68), Samaras. Tr.: Santos.
Gjyqtar: Karbalo
Kartonë të verdhë: Holebas, Papastathopulos, Karagunis
Kartonë të kuq: Papastathopulos
Levandovski ka kaluar në avantazh polakët në minutën e 17-të, Salpingidis ka barazuar në të 51-ën, më pas portieri vendas ka pritur penalltinë e Karagunis
I quajmë emocione. Sepse ndoshta Polonia me Greqinë nuk janë dy skuadra shumë cilësore, por në mënyrën e tyre kanë argëtuar. Ndeshja është mbyllur në barazim 1-1, por rezultati nuk tregon asgjë. Nëse Europiani do të vazhdonte në këtë rrugë nuk do të ishte aspak i mërzitshëm.
Ndeshja hapëse ka befasuar për surprizat e vazhdueshme: vendasit, për një kohë të gjatë në superioritet numerik, po shijonin festën dhe në fund duhet të ndihen pothuajse të kënaqur për barazimin. Topi që mund të kishte vendosur fatin e ndeshjes ka qenë në këmbët e Karagunis, që ka qenë i pranishëm edhe në Euro 2004-ën, kur Greqia ka fituar turneun. Atëherë ka vendosur ndeshjen me Portugalinë, këtë herë ka gabuar penalltinë e suksesit të mundshëm.
AKSI GJERMAN Pizçek, Blazikovski dhe Levandovski kanë qenë lojtarët nga të cilët pritej më shumë për sa i takon Polonisë. Luajnë të tre te Borusia e Dortmundit dhe kanë fituar dy herë radhazi Bundesligën. Ndryshimi i cilësisë midis dy ekipeve bie menjëherë në sy, për shkak të kombinimeve, për shkak se Samaras, për sa është munduar, nuk ka arritur të ndihmojë Holebasin, por edhe pse fantazisti Obraniak është zhvendosur në krahun e djathtë duke krijuar superioritet numerik.
Pikërisht në këtë krah vendasit kanë gjetur hapësirat e duhura për të goditur. Dhe, pas disa rasteve të shpërdoruar, kanë çbllokuar rezultatin në minutën e 17-të kur Levandovski ka çuar në rrjetë topin pas një krosimi të saktë të Blazikovskit.
GABIMET Polonia ka gabuar duke u mjaftuar me kaq dhe duke humbur një rast të pastër me Perkuis për të dyfishuar avantazhin. Velasko Karbalo, arbitri i ndeshjes, ka bërë një gabim më të madh, duke i nxjerrë kartonin e kuq Papastathopulosit padrejtësisht. Kjo duhej të kishte qenë goditja përfundimtar për grekët që nuk kanë arritur të krijojnë asnjë aksion të rrezikshëm në pjesën e parë.
Ndërsa, ka mjaftuar një lëvizje për të ndryshuar takimin: Fernando Santos ka zëvendësuar Ninis me Salpingidis dhe takimi ka ndërruar fytyrë. Sigurisht, portieri Shezni ka gabuar daljen, por i sapo futuri në fushën e lojës është treguar i aftë duke përfituar në zonën e rreptësisë dhe duke barazuar takimin në 1-1. Greqia ka shkuar afër golit të dytë me Samaras dhe më pas ka shënuar përsëri me Salpingidis, por arbitri e ka anuluar golin për shkak të pozicionit jashtëloje të lojtarit grek.
Edhe një herë Salpingidis është paraqitur i vetëm para portierit polak që e ka rrëzuar në zonën e rreptësisë. Penallti për Greqinë dhe karton i kuq për Sheznin. Por Karagunis ka gabuar. Polonia ka duartrokitur Titon, i cili ka pritur penalltinë i sapo futur në lojë, duke shpëtuar vendasit nga një humbje në ndeshjen hapëse.
Trajneri i Polonisë
Smuda: Nuk kemi humbur asgjë
Polonia, një nga vendet organizatore të Euro 2012-ës bashkë me Ukrainën, e ka nisur me një barazim zhgënjyes kundër skuadrës së Greqisë aventurën europiane. Goli i shënuar në minutën e 17-të nga sulmuesi i Borusias së Dortmundit Levandovski dhe superioriteti numerik, pas kartonit të kuq të marrë nga Papastathopulos në fundin e pjesë së parë, nuk i ka mjaftuar vendasve për të siguruar tri pikët në takimin e parë të vlefshëm për Grupin A.
Grekët kanë gjetur golin e barazimi në minutën e 51-të me Salpingidis dhe në minutën e 70-të kanë pasur mundësinë të përmbysin gjithçka, por penalltia e goditur nga Karagunis është pritur nga portieri Tito. Asgjë nuk është humbur. Ne do të luajmë të paktën edhe dy ndeshje të tjera dhe duhet ti fitojmë të dyja. Lojtarët e mi kanë qenë nën presion të madh, ka thënë trajneri i Polonisë Smuda.
Trajneri i Greqisë
Santos: Kemi humbur një mundësi të artë
Greqia, ashtu si në 2004-ën kundër Portugalisë, mund të kishte shkaktuar një befasi tjetër në takimin hapës të Europianit. Por këtë herë, heroi i Euro 2004-ës, Karagunis, ka gabuar në momentin vendimtar të ndeshjes kundër Polonisë, një prej vendeve organizatore të Europianit. Takimi ka nisur keq për skuadrën e trajnerit Santos, me polakët që kanë qenë në kontroll të lojës dhe që kanë gjetur golin e avantazhit në minutën e 17-të me Levandovskin.
Në pjesën e dytë, pas golit të barazimit të Salpingidis, Greqia ka pasur mundësinë të kalojë në avantazh me Karagunis nga pika e bardhë e penalltisë: Kemi pasur një mundësi të artë dhe nëse do ta kishim realizuar penalltinë ndeshja do të ishte mbyllur. Nuk e kemi bërë këtë, por jam shumë krenar për lojtarët e mi, ka thënë trajneri Santos.
Testimi
Uniforma e Polonisë është helmuese
Fanella zyrtare për Euro 2012-ën e Polonisë është helmuese dhe shitjet duhet të ndalohen ndërsa fanellat e kombëtareve të tjera përmbajnë gjithashtu substanca dëmtuese. Kjo është bërë e ditur nga Organizata Europiane e Konsumatorëve (OEK). Organizata, që mbron të drejtat e konsumatorëve në të gjithë Europën, ka bërë të ditur se anëtarët e saj kanë testuar nëntë fanella të kombëtareve që marrin pjesë në Europian dhe kanë gjetur elementë toksikë, duke përfshirë këtu plumb dhe nikel.
Shitja e uniformës së Polonisë duhet të ndalet sepse përmban doza të larta të organotinës. Substanca, që përdoret për të reduktuar aromën e trupit, mund të dëmtojë sistemin nervor. Ndërkohë kompania Nike, që ka prodhuar uniformat e Polonisë, Francës, Holandës dhe Portugalisë ka bërë të ditur se ka respektuar të gjitha rregullat e caktuara nga Bashkimi Europian.
