Për të vendosur diktatin e forcës!
Danezët nuk kanë arritur të fitojnë asnjë ndeshje hapëse të europianëve, ndërkohë që këto dy skuadra janë ndeshur në Botërorin 2010, ku tulipanët kanë fituar 2-0
Shpirti luftarak duket të jetë fytyra e dytë e Danimarkës. Skuadra e drejtuar nga Morten Olsen duket të jetë e mbushur si një anije vikingësh, e fortë dhe e pamëshirshme, duke kërkuar me ngulm rezultat pozitiv, pavarësisht se përballë ka skuadrën finaliste të Kupës së Botës më 2010.
Një vend me gjashtë milionë banorë dhe që nuk ka pasur futboll profesionist deri në vitin 1971, ka arritur të marrë pjesë në katër aktivitete të Kupës së Botës, ndërkohë që kjo është hera e tetë që merr pjesë në finalen e një kampionati europian. Rekordi i tyre është padyshim suksesi që kanë arritur në vitin 1992, kur ngritën edhe trofeun europian.
Pika e fortë e kësaj skuadre është padyshim loja në grup dhe kjo gjë mund t’i ndihmojë ata që të ecin përpara në Grupin B. Aktualisht, ata janë të renditur në vendin e 9-të në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s, pozicion ky që i bën të lenë prapa edhe Portugalinë, që renditet në vendin e 10-të. Kjo gjë nuk është një rastësi, ata janë skuadra që eliminuan Portugalinë në fazën kualifikuese për Botërorin e shkuar.
Gjithsesi, përballë tyre do të jetë Holanda, skuadra e cila ka shënuar më shumë gola në ndeshjet kualifikuese dhe mbi të gjitha regjistron nëntë fitore radhazi, përpara humbjes me Suedinë.
Ndryshimi midis dy skuadrave është shumë i madh, për të mos thënë se skuadra daneze asnjëherë nuk e ka fituar ndeshjen e parë në një kampionat europian. Kjo përballje e parë në një aktivitet ndërkombëtar është e përsëritur, pasi edhe në Botërorin e 2010-s të dyja këto përfaqësuese u përballën dhe ishte Holanda ajo që fitoi me rezultatin 2-0.
Pragndeshja Niklas Bendtner nuk mendon se danezët pa yllin e tyre të Ajaksit, mesfushorin Kristian Eriksen, janë më pak të rrezikshëm, pasi mes tyre ka lojtarë të tjerë me shumë potencial, madje të ngjashëm edhe si Ksavi. Gjithsesi, po sipas tij, Holanda është një ndër përfaqësueset me sulmin më të frikshëm, çka e ka dëshmuar më së miri gjatë eliminatoreve.
Për momentin ka një dyshim të vogël, nëse ka mundësi trajneri Bert van Marvijk të marrë maksimumin nga sulmuesi më i mirë i Premier Ligës, Robin van Persi dhe nga sulmuesi i Bundesligës, Klas Jan Huntelar? Kur ai vendosi ti aktivizojë njëherësh këta dy lojtarë, humbi ndeshjen me rezultatin 2-1 ndaj Bullgarisë.
Pas kësaj ndeshjeje, Huntelar qëndroi në pankinë dhe Holanda fitoi 2-0 ndaj Sllovakisë, më pas shkatërruan 6-0 Irlandën e Veriut. Përfaqësuesja holandeze ka humbur vetëm dy nga ndeshjet hapëse të një kampionati europian. Hera e fundit ka ndodhur në vitin 1988, kur u mund nga Bashkimi Sovjetik 1-0, megjithatë mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë.
Holandë – Danimarkë (18:00)
Holanda: Stekelenburg, Van der Vil, Heitinga, Bouma, Vilems, De Jong, Van Bommel, Roben, Shnajder, Afellai Van Persie.
Danimarka: Andersen, Xhakobsen, Kjaer, Ager, S.Polsen, Zimling, Kvist, Rommedahl, Eriksen, Krohn-Dehli, Bendtner
Shifra dhe fakte
Holanda
Holanda ka fituar tre nga shtatë ndeshjet e fundit, ku janë përballur këto dy skuadra.
Tim Krul, Xhetro Vilems dhe Luciano Narsingh ende nuk kanë zhvilluar një ndeshje zyrtare me Holandën, kanë zhvilluar vetëm ndeshje miqësore. Vilems dhje Nesingh janë dy nga të rinjtë më premtues të tulipanëve.
Vilems është lojtari më i ri në moshë që merr pjesë në një kampionar europian, gjithmonë nëse do të aktivizohet në Euro 2012. Rekordi deri tani mbahet nga belgu Enco Shifo, i cili ka luajtur në moshën 18 vjeç e 115 ditë, përballë Jugosllvavisë në vitin 1984.
Rafael van der Vart ka zhvilluar deri më tani 95 ndeshje me përfaqësuesen e tij. Në këtë kampionat europian mund të kapë shifrën e 100 ndeshjeve me fanellën e tulipanëve, duke u bërë kështu holandezi i pestë, që arrin këtë shifër, pas Edvin van der Sar, Frank de Bër, Xhovani van Bronkhorst dhe Filip Koku.
Danimarka
Danezët e kanë mbyllur vitin 2011 me pesë fitore, ndërkohë që këtë vit kanë pësuan dy humbje radhazi përpara se të rigjenin fitoren me Australinë, më 2 qershor.
Nëse Danimarka arrin të shpallet fituese e turneut të Europianit, në Poloni dhe Ukrainë, atëherë Kaser Shmikel do të ndjekë gjurmët e të famshmit Piter, i cili arriti të çojë drejt lavdisë përfaqësuesen e vendit të tij në vitin 1992. Kjo do të jetë hera e parë në histori, që babai dhe i biri arrijnë të fitojnë të dy një kampionat europian.
Përballjet direkte
Këto dy skuadra do të përballen për të 31-tën herë dhe Holanda është skuadra që mban rekordin e suksesshëm me 12 fitore, 10 barazime dhe vetëm 8 humbje.
Këto dy përfaqësuese janë përballur katër herë më parë në një kampionat europian, nga këto dy fitore ka arritur përfaqësuesja holandaze, ndërkohë që danezët kanë marrë një fitore dhe një tjetër ndeshje ka përfunduar në barazim.
Danimarka nuk ka arritur ta mundë Holandën në tetë ndeshjet e fundit, pesë kanë përfunduar në barazim dhe tre janë humbje. Fitorja e fundit e tyre është në kampionatin europian në fazën eliminatore, kur regjistruan suksesin në Kopenhagen, më 4 tetor të vitit 1967.
Ndeshja e parë që kanë luajtur këto dy skuadra u zhvillua në Stokholm më 23 korrik të vitit 1912 dhe u fitua nga Danimarka me rezultatin 4-1, ndeshje kjo e vlefshme për gjysmëfinalen e Turneut Olimpik të futbollit. Danimarka ka humbur më pas finalen 4-2 përballë Britanisë së Madhe, ndërsa Holanda ka mundur për vendin e tretë dhe të katërt Finlandën me rezultatin 9-0 dhe morën medaljen e bronztë.
A e dini se?
Holanda është skuadra që ka shënuar më shumë gola në fazën kualifikuese. Ka shënuar në total 37 gola në 10 ndeshje me Klas Jan Huntelar, që ka shënuar 12, duke u shpallur edhe golashënuesi më i mirë.
