Çekaj, pranë Drenicës

Drenica e ka marrë me seriozitet afatin kalimtar dimëror. Skuadra kuq e zi është vënë në ‘gjah’ të futbollistëve cilësorë, të cilët mund ta përfaqësojnë këtë skuadër në pranverë. Objektiv i radhës i Drenicës është mesfushori ofanziv Granit Çekaj, i cili në pjesën e parë të sezonit e veshi fanellën e Deçanit. Trajneri Tahir Lushtaku ka biseduar me mesfushorin ofanziv, ndërsa finalizimi i marrëveshjes mund të bëhet të martën.
“Të martën e kemi edhe një takim me Çekajn dhe shpresoj të arrijmë marrëveshje”, theksoi trajneri drenicas. Ndërkohë, Lushtaku ka paralajmëruar se kuqezinjtë janë në bisedime edhe me tre futbollistë të Superligës, me të cilët mund të arrihet po ashtu marrëveshja shumë shpejt.
Drenica nuk pati rezultate të mira në vjeshtë, duke u renditur në pjesën e poshtme të tabelës. Por, me lëvizjet që do t’i bëjë gjatë dimrit, trajneri Lushtaku është i bindur se pranvera do të jetë më pozitive për skuadrën e tij.