E Shtunë, 31 Tetor 2026

9 muaj nga Gërdeci

Dhimbja e nënave të Gërdecit sot bëhet 9 muajshe. Aq sa ishte pritja për t’i sjellë të dashurit e tyre në jetë. Kokulur dhe mbështjellë në të zeza, ato kaluan postbllokun e ushtrisë dhe iu drejtuan kraterit vrastar. Aty në errësirë, ndoshta prehen ende shpirtra njerëzish të pafaj. Kërkuan më kot ndihmë nga ushtarët të lokalizonin 26 rrënjët e ullinjve të mbjella në kujtim të viktimave. Nuk i gjetën. U rikthyen në fshat të pangushëlluara. Me të njëjtën dhimbje dhe me më pak përgjigje se 9 muaj më parë.

Ironike të mendosh sesi as ky lehtësim simbolik nuk ekzistonte sot për këto nëna. Pikërisht, Kryeministri i tyre dhe yni, kumtoi duke ulërirë se do mbillen miliona rrënjë ullinj (!).

9 muaj pas Gërdecit, asnjë përgjegjësi konkrete nuk është bërë publike. Asnjë dënim për vrasësit e 26 njerëzve. Tragjedia po zbehet nën hijen e skandaleve dhe tragjedive të reja. Por asgjë nuk e zbeh dhimbjen e nënave, që sot kërkuan të gjenin pak paqe afër atyre pemëve të munguara.

Nëntë muaj pas tragjedisë, 11 institucione, të cilët mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për aferën vrasëse, vazhdojnë të na manipulojnë me iluzione. 'Shqipëria po ndryshon' dëgjojmë në dhjetëra spote, dhjetëra reklama të paguara me lekët e taksave tona. E kotë t’u thuash autorëve të tyre se punët dëshmohen me vepra jo me fjalë. 9 muaj pas Gërdecit, shqiptarët, sidoqoftë, mund ta shohin fare qartë se në ç’lloj kantieri është kthyer vendi i tyre: Kantier korrupsioni, cinizmi dhe censure.

Shqipëria vërtet ka ndryshuar. Ajo s'mund të ishte kurrë më e njëjta pas asaj që ndodhi në 15 mars. Asnjë milimetër asfalt i rrugëve të mega-vjedhjeve dhe asnjë mulli ere i "superfuqisë së ardhshme energjetike", nuk mund ta fshehë Gërdecin. Ai qëndron aty. Ndoshta më i heshtur se 9 muaj më parë, por aspak i padukshëm. Ai rëndon në zemrat e atyre shqiptarëve, të cilët sot ndihen po aq të pasigurt për jetën e tyre sa më 15 mars.

Shqipëria nuk po ndryshon. Ajo ka ende pallate që shemben, njerëz që mbyten në tentativa arratie, zjarre që përlajnë kursimet, ministra që u bëjnë bisht dhe kërcënojnë drejtësinë, ish-spiunë dhe ish-sekretarë partish që, në darkë çirren për hapjen e dosjeve të së kaluarës dhe në mëngjes mbyllin dosjet penale të së tashmes, korrupsion që vret mjekë e pacientë bashkë. Ajo ka ende kraterin e Gërdecit.

*Autorja ishte dje e pranishme në përkujtesën e familjarëve për 9-mujorin e viktimave të Gërdecit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›