Bushati: “Reporterët e KE-së përgënjeshtruan deklaratat e Kryeministrisë për qëndrimet ndaj opozitës”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është takuar dje me dy raporterët e Këshillit të Europës, z. Jako Lakson dhe z. David Wilshire, të cilët prej disa ditësh ndodhen në Tiranë, në misionin e radhës faktmbledhës, në kuadër të përgatitjes së raportit që Asambleja Parlamentare e Europës pritet të nxjerrë për Shqipërinë. Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka qenë në takim së bashku me dy deputetët, Ditmir Bushati dhe Eduard Shalsi. Pas takimit, për mediat ka folur deputeti socialist Ditmir Bushati. Ai tha se e kishin informuar delegacionin e KE-së për kontestimet që ka Partia Socialiste ndaj rezultatit zgjedhor. Bushati theksoi gjithashtu se raporterët e KE-së kanë përgënjeshtruar njoftimin për shtyp të dalë nga Kryeministria, sipas së cilës ata ishin shprehur me kritika ndaj qëndrimeve të opozitës. “Ne patëm mundësinë sot të shkëmbenim pikëpamjet dhe informacionin rreth situatës politike në Shqipëri me raporterët e Këshillit të Europës. Gjatë këtij takimi ata u informuan në detaje mbi qëndrimin e opozitës ndaj zhvillimeve të fundit politike në vend. Gjithashtu, me shumë kënaqësi na konfirmuan që të gjitha njoftimet që janë bërë nga zyra e shtypit e kryeministrit dhe e Kuvendit, sikur gjoja ata kanë deklaruar për qëndrimin e tyre ndaj opozitës shqiptare, janë fakte absolutisht të pavërteta. Qëndrimi i tyre do të bëhet publik në raportin që ata do të publikojnë për Shqipërinë, të cilin ne e mirëkuptojmë se do të jetë një raport konkret dhe do t’i shërbejë demokratizimit të mëtejshëm të jetës së vendit. Natyrisht, ka disa elemente që ne i përmendëm më me prioritet, siç janë çështjet e zgjedhjeve politike në Shqipëri, lirisë së medias dhe konfliktet e fundit që ka shkaktuar Ekzekutivi me pushtetin vendor dhe me Gjyqësorin në Shqipëri. Raporterët janë këtu për të dëgjuar zërin e aktorëve të ndryshëm politikë dhe zërin e aktorëve të ndryshëm të jetës publike në Shqipëri, që mund të jetë media apo shoqëria civile. Ata rikonfirmuan edhe njëherë qëndrimin e tyre që çdo deklarim që është bërë nga zyra të tjera publike në këtë vend, për gjoja qëndrime të tyre ndaj opozitës apo institucioneve të tjera, është absolutisht i pavërtetë. Qëndrimi i tyre do të jetë në raportin që do të prodhojnë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës”, - tha Bushati.
Rama, në janar në Bruksel për të denoncuar manipulimet e zgjedhjeve
Kreu i PS-së do të takohet me një numër të konsiderueshëm europarlamentarësh
Rama do të sqarojë qëndrimet e PS-së për hapjen e kutive të votimit dhe kontestimi e zgjedhjeve
Shaban Sulçe
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, do të zhvillojë në muajin janar një vizitë shumë të rëndësishme në Bruksel, në kuadër të aksionit politik të Partisë Socialiste për të demaskuar dhe për të denoncuar manipulimet e ndodhura në zgjedhjet e 28 qershorit. Kryesocialisti Edi Rama do të takohet me europarlamentarë të shumtë, ku pritet që të sqarojë qëndrimin politik të Partisë Socialiste për kontestimin e zgjedhjeve, për bojkotin e Kuvendit dhe për hapjen e kutive të votimit. Vizita e Ramës cilësohet shumë e rëndësishme, pasi do të bëhet në prag të hartimit të raportit përfundimtar që do të hartojnë institucionet e Bashkimit Europian në lidhje me vlerësimin që ata do t’u bëjnë zgjedhjeve të 28 qershorit në Shqipëri. Ndonëse raportet e ndërkombëtarëve kanë theksuar se pati parregullsi në numërimin e votave në 1/3 e qendrave të numërimit, institucionet dhe diplomatët ndërkombëtarë i kanë bërë thirrje të vazhdueshme Partisë Socialiste që të ndërpresë bojkotin dhe të hyjë në Kuvend. Po kështu, ata i kanë bërë thirrje qeverisë që të gjejë dialogun dhe të rishikojë mundësinë e zgjidhjes së kërkesave që parashtron Partia Socialiste. Gjithsesi, Partia Socialiste, nga ana e saj, nuk ka reshtur për asnjë moment për t’i paraqitur faktorit ndërkombëtar kontestimet dhe pretendimet e saj për manipulimin e zgjedhjeve. Madje për këtë, socialistët kanë hartuar dhe kanë depozituar “dosjen e zezë”, e cila mbart provat e manipulimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Në muajin gusht, Partia Socialiste depozitoi pranë asambleve parlamentare të OSBE-së, NATO-s dhe Këshillit të Europës “dosjen e zezë” të zgjedhjeve, e cila përmban të gjitha parregullsitë e konstatuara dhe të dokumentuara nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste gjatë dhe pas procesit të votimit.
Vizat, eurodeputetja: “Serbia, lobing kundër Shqipërisë”
Diplomatët serbë kanë lobuar pranë Parlamentit Europian kundër iniciativës për liberalizimin e shpejtë të vizave ndaj Shqipërisë dhe Bosnjës. Eurodeputetja Sarah Ludford tregoi këtë lëvizje të diplomatëve serbë dhe i kërkoi llogari ministrit të Jashtëm, Vuk Jeremiç, në Komitetin e Jashtëm Parlamentar. "Ambasada juaj këtu në Bruksel ka lobuar pranë eurodeputetëve kundër qëndrimit që Parlamenti Europian po ndërmerrte e që ishte konfirmimi i menjëhershëm i perspektivës së liberalizimit të vizave për 3 vende të Ballkanit, përfshi Serbinë, por me synimin për të përfshirë dhe Shqipërinë e Bosnjën në të, duke nënvizuar përmbushjen e kritereve, çfarë nuk u arrit. Mirëpo u zhgënjeva që Ambasada juaj këtu po lobonte ndaj eurodeputetëve kundër këtij qëndrimi”, - e akuzoi Ludford kryediplomatin e Beogradit. Nga ana e tij, Jeremiç ka reaguar menjëherë duke e hedhur poshtë këtë akuzë. "Me gjithë respektin e duhur, automatikisht refuzoj të gjitha akuzat ndaj zyrtarëve serbë. Me fjalë të tjera, që zyrtarët e Ambasadës Serbe, në një mënyrë apo në një tjetër, kanë punuar kundër liberalizimit të vizave ndaj Bosnjë-Hercegovinës. Nëse doni qëndrimin zyrtar të qeverisë serbe, ne mendojmë se duhet të ketë regjim të lirë vizash që nesër", - tha ai. Sipas eurodeputetes Ludford, diplomati serb kishte dërguar një e-mail ndaj një eurodeputeti holandez, të cilit i kërkonte në konfidencë që Komiteti për Çështjet e Sigurisë, Lirisë dhe Drejtësisë të mos mbështeste raportin e Tanja Fajon për përfshirjen e Shqipërisë dhe Bosnjës në të njëjtin propozim të Komisionit për Liberalizimin e Vizave, pasi një gjë e tillë cenonte interesin e Serbisë për lëvizje të lirë të qytetarëve të saj brenda afatit të premtuar në janar 2010.
PS: Emërimet e reja në KKRT, dëshmi e pushtetit që kërkon maxhoranca mbi median
Partia Socialiste ka kundërshtuar votimin nga ana e Kuvendit të dy anëtarëve të rinj të Këshillit të Kontrollit të Radios dhe Televizionit. Deputeti socialist, Fatmir Toçi, tha se në krye të KKRT-së janë emëruar njerëz shumë të afërt të kabinetit të Berishës dhe të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Toçi tha se këto emërime janë dëshmi e kontrollit që tenton maxhoranca të ushtrojë mbi median. “Këmbëngulja e kësaj maxhorance për ta konceptuar KKRT-në thjesht si një instrument që u shërben verbërisht interesave të pushtetit të familjes apo klaneve të caktuara politike e mediatike pranë Sali Berishës, është dëshmi e mungesës së plotë të vullnetit për të reflektuar mbi deformimin që ka pësuar ky institucion, të kthyer në një burim shqetësimi jo vetëm për Partinë Socialiste, por dhe për mbarë opinionin publik shqiptar dhe faktorin e ndërkombëtar. Për më tepër, marrja e një vendimi të tillë pikërisht në çastet kur mbarë opinioni publik është i alarmuar për lirinë e medias në Shqipëri, kur raportet e organizatave prestigjioze ndërkombëtare e rendisin Shqipërinë të fundit në rajon për lirinë e medias dhe kur përfaqësuesit e medias dhe gazetarët janë më të rrezikuar se kurrë, deri në jetën e tyre, tregon se pushtetarët e sotëm janë të vendosur për t’ia nënshtruar gjithçka interesave të tyre politike e korruptive”, - tha Toçi.
Braçe: “Po thellohet skandali korruptiv me Maternitetin e Beratit”
Deputeti socialist, Erion Braçe, ka denoncuar nga Berati rastin më të fundit të abuzimit të biznesmenëve të Familjes me pronat e shqiptarëve. Zoti Braçe ka deklaruar publikisht se ish-Materniteti i qytetit, një godinë me një sipërfaqe prej 4500 metrash katrorë, pronë e Ministrisë së Shëndetësisë, i është dhënë në përdorim në mënyrë abuzive një biznesmeni të lidhur me Partinë Republikane. Ai ka theksuar po ashtu se biznesmeni në fjalë po kryen në këtë godinë punime pa u pajisur më parë me lejen e Bashkisë së Beratit apo të KRRTRSH-së, gjë që ka ndeshur në kundërshtimin e Bashkisë së këtij qyteti. Deputeti i qarkut të Beratit, Braçe, ka shprehur shqetësimin se, ashtu si dhe në shumë raste të tjera, të bëra publike kohët e fundit, Policia e Shtetit nuk ka mbajtur anën e ligjit, por është treguar indiferente duke favorizuar në këtë mënyrë biznesmenin e lidhur me Familjen në pushtet. Bashkia e Beratit ka dërguar një letër për këtë rast për kryeministrin, duke protestuar ndaj cenimit të kompetencave të pushtetit vendor. Deputeti Braçe ka deklaruar: “Ky ndërtim po bëhet pa leje ndërtimi. Interesi korruptiv që nis këtu në Berat dhe përfundon tek interesat dhe klientët e Familjes në pushtet që na qeveris, te Partia Republikane, kriminale”.
7 Nentor 2009