Holanda mbështet integrimin e Kosovës në BE

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Holandës, Gerdi Verbet, ka siguruar kryeparlamentarin Jakup Krasniqi se vendi i saj do të vazhdojë mbështetjen e fuqishme për Kosovën në procesin e integrimeve drejt Bashkimit Evropian (BE).
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Holandë, Nexhmi Rexhepi, u prit të enjten në një takim nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Holandës, Gerdi Verbet dhe pati një takim të veçantë me Komisionin për Çështje Evropiane dhe Politikë të Jashtme.
“Ne e kemi kontribuar në NATO dhe kemi njohur Kosovën me një përkrahje shumë të gjerë në parlament. Edhe sot, parlamenti holandez i jep një përkrahje shumë të fuqishme Kosovës në procesin e integrimit të saj në BE. Ne kemi kritere strikte, por të ndershme, për këto procese”, ka thënë Verbet.
Nga ana e tij, Krasniqi shtroi nevojën e përshpejtimit të procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën dhe për qartësimin e hapave që duhet të ndërmarrë ajo në këtë proces.
“Ne presim që Komisioni Evropian shumë shpejt të na japë udhërrëfyesin për liberalizmin e vizave dhe qartësimin e hapave që duhet të ndjekë Kosova”, theksoi ai.
Krasniqi foli edhe për raportin e Dikc Martyt dhe dëmet që i ka shkaktuar ai, sqaroi pastërtinë e luftës çlirimtare të Kosovës dhe të pavërtetat e thëna në këtë raport.
Për më tepër, numri një i legjislativit të Kosovës kërkoi ndihmën e autoriteteve holandeze për të lobuar për sa më shumë njohje të reja për Kosovën dhe paraqiti pengesën e madhe që i vjen Kosovës nga mosnjohja prej të gjithave vendeve të Bashkimit Evropian.
Ai kërkoi, gjithashtu, që Kosova të trajtohet njësoj sikurse shtetet tjera të rajonit dhe kërkoi ndihmë në procesin e integrimit evropian e të krijimit të marrëdhënie kontraktuale ndërmjet BE-së dhe Kosovës, si dhe për rikthimin e marrëveshjes për preferencat tregtare.
Në Komisionin për Çështje Evropiane dhe Politikë të Jashtme, diskutuan pothuajse të gjithë anëtarët e komisionit që ishin të pranishëm, kurse kryesuesi i tij Van Bonmel, e quajti këtë një vizitë historike, sepse, siç tha ai, është e para e këtij niveli nga Kosova në Holandë.
Gjatë ditës, kryetari Krasniqi do të takohet me sekretarin e Përgjithshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Filip Kuvrer dhe do t’i bëjë një vizitë ambienteve të kësaj gjykate.