Tkurren kreditë për pasuri të paluajtshme
Kështu kredia për blerje të pasurive të paluajtshme vazhdon të ngelet në stanjacion. Statistikat e Shoqatës së Bankave, treguan se edhe për muajin prill teprica e kredisë për shtëpi qëndroi pranë vlerës së 98 miliard lekëve, nga 97.9 miliardë lekë që ishte në muajin mars. Gjatë gjithë fillimit të vitit 2010 kredia për shtëpi nuk ka njohur asnjë rritje dhe është sot në atë nivel ku ndodhej edhe në fundin e vitit 2009. Sipas statistikave mësohet se në muajin prill është një rritje e lehtë e kredisë në lekë dhe rënie e asaj në euro. Kredia për blerje pasurish të paluajtshme në lekë, në muajin prill arriti në 25.5 miliardë lekë, nga 25.3 miliardë lekë që ishte në mars. Ndërsa kredia në euro, e konvertuar, në fund të prillit kishte vlerën e konvertuar e 69.6 miliardë lekëve, nga 70.2 miliardë lekë që ishte në muajin mars. Mosrritja e kredisë është një tregues shumë i qartë i gjendjes së tregut të pasurive të paluajtshme, ku kredia është burimi kryesor i financimit të blerjeve. Ndërtuesit dhe agjencitë imobiliare janë shprehur në mënyrë të përsëritur se tregu ndodhet në një gjendje të vështirë dhe kërkesa vlerësohet në nivele shumë të ulëta. Vështirësia e gjetjes së mënyrës së financimit është padyshim një nga faktorët kryesorë frenues të kërkesës. Sipas Bankës në fund të shkurtit, kredia totale për ekonominë ishte 8 për qind më shumë se sa shkurti i vitit 2009, por periudhën shkurt 2008-shkurt 2009, rritja ka qenë 33 për qind. Politika shtrënguese e bankave ka prekur më shumë individët. Në fund të shkurtit, kredia për individët ishte në total, 139 miliardë lekë, vetëm 1.4 për qind më shumë se sa shkurti i 2009-ës. Një vit më parë norma e rritjes ka qenë 25 për qind. Të dhënat e detajuara të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në ngërç është kryesisht kredia për ndërtimin, e cila këtë vit është 6 herë më pak se sa një vit më parë. Banka e Shqipërisë thotë zyrtarisht se situata e likuiditetit në bankat private është e mirë, sidomos tani kur depozitat kanë rifilluar të rriten.