Qeveria, dy struktura paralele për bllokimin e KLSH, deputetët kundër
Brenda dy javëve Ministria e Financave propozon ngritjen e dy strukturave, të cilat bien ndesh me funksionet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Përveç dublimit të KLSH dy draftet përplasen me njëri-tjetrin në ndarjen e funksioneve. Një draft parashikon menaxhimin dhe kontrollin
e financave publike dhe tjetri inspektimin financiar publik. Ky i fundit ka mbërritur dje në komisionin e ekonomisë, por deputetët kanë kërkuar shpjegime nga Ministria e Financave në lidhje me metodën e hartimit të draftit dhe kompetencat që merr struktura e re që është propozuar për tu ngritur. Struktura është parashikuar të jetë një drejtori më vete dhe do jetë në vrasisë të Ministrisë së Financave, ndërkohë që do të inspektojë këtë ministri dhe strukturat vartëse të saj.
Komisioni
Komisioni parlamentar i ekonomisë ka nisur procedurën e miratimit të ligjit të Inspektimit Financiar Publik. Ky ligj është pjesë e paketës së përafrimit ligjor me Bashkimin Evropian. Ky ligj i ri që ka objekt kontrollin e të gjithë fondeve publike ka në juridiksionin e tij edhe përdorimin e fondeve që vendi përfiton nga projektet me Bashkimin Evropian. Bazuar në këtë ligj, ngrihet një drejtori e posaçme e inspektimit publik e cila është në varësi të ministrit të financave. Ky institucion i ri do të jetë përkrah me kontrollin e lartë të shtetit dhe me zyrat e auditëve të brendshëm. Deputetët e të dy forcave politike kanë kërkuar sqarime nga zyrtarët e ministrisë së financave për procedurat e hartimit të projektligjit. Diskutimet rreth projektit do të vazhdojnë edhe në seancat vijuese të komisionit.
Projektligji
Projektligji i propozuar nga Ministria e Financave, Për inspektimin financiar publik që mbërritur në Kuvend parashikohet që inspektimi të ushtrohet mbi çdo njësi të qeverisjes së përgjithshme, çdo individ apo njësi që përfiton nga fondet publike, si dhe çdo shoqëri apo organizatë publike. Drafti është hartuar në kuadër të reformës për përmirësimin e menaxhimit të financave publike, detyrim ky që lind nga Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit. Në të parashikohen gjithashtu dhe masa administrative me gjobë në rast shkeljesh apo dhe kërkesë për procedim penal. Me këtë projektligj synohet ngritja e funksionit të inspektimit financiar publik në Ministrinë e Financave dhe kryerja e këtij funksioni në mënyrë ad-hoc për raste serioze të keqmenaxhimit financiar, mashtrimit dhe parregullsive.
Drafti
Projektligji i Ministrisë së Financave parashikon që çdo njësi e qeverisjes së përgjithshme, ku përfshihet qeverisja qendrore, vendore, por dhe fonde speciale, çdo shoqëri tregtare publike, organizata publike jofitimprurëse, autoritetet e përbashkëta që zotërohen, kontrollohen, financohen ose garantohen financiarisht nga njësi të qeverisjes së përgjithshme ose në të cilën një njësi e qeverisjes së përgjithshme zotëron apo kontrollon një pjesë të pasurisë, e cila i jep pronarit të drejtën e kontrollit, si dhe çdo njësi apo individ që përfiton fonde publike apo fonde në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare. Saktësohet se përgjegjësi kryesor për inspektimin financiar është ministri i Financave, i cili përcakton dhe kriteret për përzgjedhjen e inspektorëve financiarë. Do të jetë po ministri që do të përcaktojë metodologjinë e inspektimeve. Autoriteti përgjegjës për fillimin e inspektimeve do të jetë nëpunësi i parë autorizues, i cili e nis këtë procedurë vetëm pas një kërkese, apo ankese dhe jo me programe apo plane të paracaktuara.
Drafti, si nis inspektimi
Për nisjen e inspektimit mund të shërbejnë raporte apo dokumente që vërtetojnë shkelje në menaxhimin financiar, raportet e menaxhimit dhe kontrollit financiar, raportet e auditit të brendshëm, raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, kërkesat e Këshillit të Ministrave, kërkesat e ministrit të Financave, kërkesat nga titullarë dhe nëpunës autorizues të njësive publike, si dhe kërkesa të bëra nga Prokurori i Përgjithshëm. Për zbatimin e këtij projektligji do të krijohet në Ministrinë e Financave Drejtoria e Inspektimit Financiar Publik, e cila do të shqyrtojë kërkesat dhe ankesat përkatëse. Punonjësit e kësaj drejtorie do të jenë nëpunës civilë dhe do të zgjidhen në bazë të kritereve të ligjit Statusi i nëpunësit civil. Ligji parashikon dhe masat për shkelësit. Kështu në bazë të nenit 23 parashikohet që për çdo shkelje apo mospërmbushje të detyrimeve ligjore konsiderohet kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 40.000 deri në 70.000 lekë. Gjithashtu, në rastet kur dokumentacioni vërteton kryerjen e një shkeljeje penale përcaktohet kryerja e kallëzimit penal tek organet e prokurorisë.
Ornela Manjani
Last Updated on E Merkure, 16 Qershor 2010 00:26