E Diel, 1 Nëntor 2026

Togfjalëshi “familja kryeministrore” si mitra e inskenimeve të nomenklaturës së Sigurimit të Shtetit

Shoqëria ime me Shkëlzenin, djalin e kryeministrit aktual të vendit, është e hershme. Ishte viti ’93. Jo ai i romanit të Hygoit me të njëjtin titull, megjithëse subjekti i tij u kushtohet disa çështjeve politike të kohës. E kam fjalën për vitin 1993, ndërkohë që PD-ja nuk kishte as një vit në pushtet. Në atë kohë unë sapo kisha filluar punë si drejtor i degës së Bankës Kombëtare Tregtare, Tepelenë, pasi kisha punuar rreth 2 vjet në degën e Shpërndarjes së Karburanteve të atij rrethi. U ndjeva keq sapo hyra me këtë status në mjediset e atij institucioni, në të cilin kisha vite pa i parë nga brenda, qysh kur isha kryetar i degës së Financës të një kooperative bujqësore, në periudhën ’82-’85. Ambientet e brendshme të kësaj dege banke ishin po ato që kisha parë mbi 10 vite të shkuara. Megjithëse ishin vitet e para të pluralizmit, ndryshimet, ndonëse në fillimet e tyre, binin në sy kudo. Nuk shkonte që banka, institucioni më prestigjioz në “familjen” e ekonomisë së tregut, të kishte atë paraqitje të vjetëruar. Për edukatën dhe kërkesat e mia drejtuese apo profesionale, ndërmarrjet dhe institucionet e shtetit duhen të jenë në avangard edhe për sa i përket arkitekturës apo krijimit të kushteve të punës për punonjësit. Këtë kisha bërë më parë edhe me rikostruktimin e pikave të shpërndarjes së karburanteve në rrethin e Tepelenës, sikundër kisha krijuar një zyrë model finance vite të shkuara, në kohën e monizmit. Ndaj, kur u bë prezantimi në detyrën e drejtorit të degës së BKT-së Tepelenë, i kërkova nëndrejtorit të përgjithshëm të këtij institucioni, z. Qamil Tusha, fonde për rikonstruksionin e mjediseve të kësaj dege. Kërkesa ime u shqyrtua dhe u plotësua shpejt nga organet eprore të BKT-së.
Kështu që unë fillova menjëherë nga puna, duke zbatuar me korrektësi procedurat ligjore të kohës, dhe brenda një muaj gjithçka ishte gati. Mjediset e degës së BKT-së Tepelenë u rikonstruktuan për bukuri, ndërkohë që kisha blerë dhe një autoveturë tip “Lançia Prisma” ngjyrë e zezë, mjaft e denjë për një institucion bankar. Në atë gjendje ngelën ato mjedise derisa i kaluan “Raiffeisen Bank”, në vitin 2002, ndërsa “Lançia Prisma” u shkatërrua totalisht në një aksident rrugor, në vitin ’94, fatmirësisht pa viktima në njerëz. Por ajo ç’ka ndryshoi më shumë ishte përgjegjësia dhe rendimenti i punës së punonjësve të këtij institucioni prestigjioz. Si rezultat i ndryshimeve të bëra, dega e BKT-së Tepelenë arriti një performancë të mirë dhe po përmendej gjithëandej për rezultatet e arritura, si një shembull që duhej ndjekur edhe nga simotrat e saj në rrethet e tjera.
Por këto sukese e zhvillime pozitive patën edhe anën e tyre negative, për sa i përket xhelozisë që shkaktuan tek disa individë, të cilët më shumë se sa bijë të njerëzisë janë krijesa të ligësisë. Ndaj në rastin konkret, atyre nuk u ka gëzuar por u ka therur zemra, për çfarë shikonin e ndjenin në mjediset dhe shërbimin e ndryshura të degës së BKT-së Tepelenë. “Hë, se ia rregullojmë ne këtij”, kanë menduar me vete, dhe ndoshta s’flinin gjumë për net me radhë derisa krijuan mundësinë për t’u hakmarrë, në një mënyrë tepër të neveritshme. Ishte e enjte, 23 shtator i vitit ’93. Ora nuk kishte shkuar ende 9, kur më vijnë në zyrë e më thonë: “Kanë arrestuar Hodon”. Hodoja ishte specialisti i kredisë afatgjatë dhe një ditë më parë e kishte lënë me 3 kredimarrës që kishin aplikuar për të marrë nga një traktor me goma, objekte të një kredie të huaj, që t’i sillin edhe ca dokumenta të tjera për të plotësuar dosjen, pasi në orën 10 do të mblidhej komiteti i kreditit. Këta kredimarrës ishin nga fshatra të ndryshëm të Tepelenës, por çuditërisht s’i ndaheshin njeri-tjetrin gjatë plotësimit të dokumentave të kredisë. Atë ditë ishin paraqitur qysh herët në mëngjez në bankë dhe pritën gati një orë tek dera e saj, megjithëse pas orës 8 që filloi puna s’kishin asnjë pengesë për të hyrë. Siç më treguan më vonë punonjësit, në orën 9 pa çerek hyn njeri prej tyre me një zarf në dorë dhe ia hedh Hodos në tavolinë duke i thënë: “Këtu i ke dokumentet që na kërkove dje për të tre”. Pastaj doli me nxitim, pa marrë përgjigjen e duhur të specialistit. Hodoja i thirri të priste sa t’i kontrollonte rregullsinë e dokumnetave, por sa bëri të hapë zarfin hyjnë 2-3 policë së bashku me fotografin që përdorte dega e Brendshme Tepelenë në kohën e monizmit, dhe i thirrën si të tërbuar: “Lëre zarfin mbi tavolinë dhe ngriji duart lart, pasi je i arrestuar”. I hedhin prangat, hapin zarfin ku ishin 25 mijë lekë dhe pasi kishin bërë me shpejtësi formalitetet e duhura, largohen duke marrë me vete edhe “kriminelin” e kapur në flagrancë. Zyra ime ishte në thellësi të atyre ambjenteve, dhe siç thashë më lartë, u informova për ngjarjen nga punonjësit e mi. Normalisht lajmërimi duhej të ishte bërë nga përfaqësuesit e Komisariatit të Policisë Tepelenë, por “skenari” s’ua lejonte një gjë të tillë. Dhe si të mos mjaftonte ky arbitraritet policesk, pas rreth 2 orësh pasi kishte ndodhur ngjarja, më vjen në zyrë një polic dhe më thotë: “Hajde se të kërkon shefi”. U nis për në zyrat e komisariatit, që ndodheshin jo më larg se 50 metra nga zyra ime. Kur mbërrijmë atje polici që më shoqëronte më tha: “Prit pak këtu, sa t’i them shefit”, dhe më futi në një dhomë, ku siç mora vesh më vonë, përdorej si “paradhomë” për në birucë; në një nga ato ku ndodhej prej më se 3 orësh specialisti im i kreditit. Kaloi gati gjysëm ore dhe polici s’po vinte, ndaj u detyrova të dalë në korridor. Ndërkohë dëgjova një zë të më fliste: “Drejtor, ç’bën aty?”. Po pres të takoj shefin, i thashë. “Po ajo është dhomë izolimi”, më tha, dhe iku në punë të vet. Dola i revoltuar dhe shkova në zyrë ku përgatita informacionet e nevojshme për ngjarjen që ndodhi, duke ua përcjellë në kohë instancave eprore. Përfundimisht, Hodojua, specialisti im i kreditit, u dënua me 6 muaj burg për “mitmarrjen” prej 25 mijë lekësh, që ia futi tinzës një ish-bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit, ndonëse në birucë, me pistoletë tek koka, i thoshin: “S’kemi gjë më ty; gjithçka e kemi me drejtorin tënd, pasi ai është shok me kryetarin e degës së PD-së. Ti vetëm prano, që të ka thënë drejtori për t’i marrë ato lekë dhe ne të lirojmë menjëherë…”
Besojë, se pas fjalisë së mësipërme, gjithëkush u qartësua për lidhjen që ka kjo ngjarje me “shokun” tim Shkëlzen Berisha. Ajo tregon se ne jemi shokë të vuajtjeve që shkaktojnë inskenimet e fëlliqura të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit në shërbim të politikanëve meskinë për të goditur njerëzit e punës dhe të arritjeve publike. Madje ne jemi “bashkëvuajtës” për të njëjtin shkak; ngaqë intrigaxhinjtë e kuq, sipas rastit, nuk kanë ç’t’u bëjnë të afërmve, miqve, shokëve dhe të njohurve tanë. Konkretisht, unë u sulmova ngaqë isha shkok i kryetarit të PD-së Tepelenë, kurse Shkelzeni po sulmohet, sepse është djali i kryeministrit, kundër të cilit të majtët kanë fituar vetëm me intriga, manipulime dhe mashtrime. E njëjta gjë po ndodh edhe me Argitën, vajzën e kryeministrit. Mbi bazën e shpifjeve dhe intrigave të ndryshme është formuluar togfjalëshi spekulativ: “familja kryeministrore”. Të majtët, me tesër apo pa tesër qofshin ata, po e mbajnë gjithë ditën në gojë këtë togfjalësh, si një karamele politike, duke e përdorur vend e pa vend për të mashtruar atë grup qytetarësh të këtij vendi, që reflektojnë dembelizëm logjik apo ata që vazhdimisht janë të prirur ta hanë “sapunin për djathtë”. Emri i Shkëlzenit ka filluar të lakohet, pasi nuk gjetën dokumente e fakte kompromentuese për përfshirjen e kryeministrit në “korrupsionin e Gërdecit”. Dhe kur nuk gjetën argumenta të tillë as për djalin e kryemnistrit, i janë vërsulur tash së fundi, Rrahman Selmanllarit si “shok” i Shkëlzenit. Por përgatitja e këtij sulmi ka filluar shumë kohë përpara sesa të ndodhte Gërdeci, që është një skenar si ai i futjes në kurthin e “mitmarrjes” prej 25 mijë lekësh të specialistit tim të kreditit, kur ish drejtor i degës së BKT-së Tepelenë. Po t’ju duket i pagjetur ky krahasim, atëherë po them, ashtu si skenari i firmave piramidale, i cili u realizua me kuntributin e ish sigurimsave, ish-oficerëve apo ish-zyrtarëve të tjerë të nomenklaturës komuniste në nivelin lokal për të destabilizuar vendin, në prag të hopit cilësor që ai po përgatitje të bënte në kuadrin e proceseve të ndryshme integruese në strukturat euroatlantike. Nga ana tjetër sulmi ndaj “familjes kryeministrore” u intensifikua kur u pa që shpëthimi i Gërdecit nuk i lëkundi themelet e qeverisë dhe opinionit pozitiv që ajo kishte krijuar tek partnerët ndërkombëtar, apo më mirë të themi, kur u pa që kjo ngjarje nuk ndikoi aspak në marrjen e ftesës për anëtarësimin në NATO, në Samitin e Bukureshtit, i cili u mbajt dy javë më vonë në kryeqytetin rumun. Në fakt Gërdeci është vetë skenari, për të cilin çuditem se si nuk këmbëgulet për demaskimin e kësaj vepre të shëmtuar nga përfaqësuesit e mazhorancës, pasi nga organi i akuzës nuk pritet të ndodh një gjë e tillë.
Le të kthehemi pak në retrospektivë dhe të kujtojmë disa elementë të dyshimtë të asaj ngjarjeje të rëndë. Fakti më kompromentues duket se është filmimi i shpërthimit masiv nga një person “i rastësishëm” që kishte shkuar për pushimet e fundjavës në një shtëpi në Gërdec, dhe ky rastisi që të ishte mik i “Top Channel”-save. Po kështu “rastësi” e kësaj natyre është edhe fakti që shpëthimi ndodhi pikërisht në fundjavë, ndërkohë që ishte hera e parë që baruti lihej për ditë me radhë pa u hequr apo siç ishte po kështu një “rastësi” tjetër, këtë herë e mirë, që shpëthimi ndodhi në mesditë, ndërkohë që shumica e punëtorëve ishte larguar për pushimin e drekës. Këto momente janë pjesa më e rëndësishme e hetimit, po aq sa dhe aspekte të tjera, për të mos thënë pista kryesore e këtij hetimi. Shkaku, se pse ndodhi shpërthimi, është “Thembra e Akilit” të kësaj ngjarjeje. Dhe shpërthimi nuk ndodhi ngaqë çmontimi bëhej në Gërdec, apo ngaqë mund të jenë bërë shkelje proceduriale në zgjedhjen e kompanisë për demontimin e lëndëve plasëse. Shpërthimi ndodhi për arsye krejt të tjera nga ato që thuhen tani poshtë e lartë nëpër mediane Edi Ramës. Ai ndodhi sepse kështu donin kundërshtarët dhe jo miqtë eBerishës. Ndërkohë, ata që mund të kenë qënë të interesuar për të ashtuquajturën “veprimtari korruptive” nuk do ta kishin dëshiruar kurrë shpërthimin e Gërdecit. Gjithë historia që stiset në këtë drejtim, duke shpifur e sajuar për djalin e kryeministrit, ka për qëllim që të fshehi të vërtetën, sikundër u bë në ’97-n, me ngjarjet që pasuan rrëzimin e firmave piramidale, në pritje të thënies “kapak varri” që, “kjo është një dosje e zezë që s’do të hapet kurrë”. Objekti i sulmit në të dy rastet është Sali Berisha. Implikimi i familjes apo më sakt i djalit të tij në këtë histori, duke shpifur e sajuar, bëhet me qëllim për të manipuluar opinionin publik, në mënyrë që njerëzit të mos shohin e përjetojnë realitetin e sukseseve por të pavërtetën e skenarëve ogurzinj të ish-Sigurimit të Shtetit, që vazhdon t’u dhurojë vazdhimisht pushtet enverist politikanëve të majtë. Dhe si të mos mjaftojnë gjithë ato që thuren ndaj familjarëvë të kryeministrit, të cilët janë të gjithë në punën e tyre, po hidhet baltë edhe mbi shokët apo shoqet e djalit të kryeministrit. Kjo është e paarsyeshme dhe padurueshme vërtetë. Si mund të përgjigjet kryeministri i një vendi për veprimet e shokëve apo shoqeve të fëmijëve të vet? Ç’është kjo luftë e re klasash në vendin tonë, e panjohur as në kohën e rregjimit enverist? More janë në vete këta njerëz apo jo? Si e marrin kurajon për të përbaltur këdo, vetëm e vetëm të realizojnë efektin manipulues të skenarëve të tyre të zinj për të ardhmen tonë demokratike? Akuza të tilla janë vërtetë qesharake, por edhe të dhimshme njëherësh. A mund t’i besohet pushteti një force të tillë politike të zhytur në llumin e së kaluarës, në një kohë që ndodhemi në një fazë vendimtare për integrimin e plotë të vendit në Bashkimin Europian? Këto e shumë pyetje të tjera të vijnë natyrshëm ndër mend, teksa ndeshesh me skenarë të tillë të një force politike, krerët e së cilës gjithnjë kanë synuar e synojnë që të ndërtojnë lumturinë e tyre mbi fatkeqësinë e të tjerëve. Në këtë kuptim, duke qënë kundërshtarë politikë me këta njerëz, edhe pa treguar historitë e mësipërme, unë jam absolutisht “shok i ngushtë” me Shkelzenin. Motive të kësaj natyre kanë ndoshta edhe disa ministra apo zyrtarë të tjerë të lartë që po përfliten sot nga social-komunistët si “solidarë në korrupsion” së bashku me djalin e kryeministrit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›